Te Paris Saint Germain janë shumë të shqetësuar për Kylian Mbappenë. Përtej rezultatit zhgënjyes në fushën e Club Brugge, ku as tredhëmbëshi Messi-Neymar-Mbappe nuk mundi të bënte diferencën, me sfidën që u mbyll 1-1, dëmtimi i 22-vjeçarit ka shkaktuar dhimbje koke në stafin teknik dhe ankth te tifozët.
Sipas Mauricio Pochettinos, Mbappe ka ndrydhur kyçin e këmbës, megjithatë një diagnozë më e saktë do të jepet në orët e ardhshme. Ishte hera e parë që Mbappe luante krah Neymarit e Messit njëkohësisht që nga minuta e parë, që kur argjentinasi u transferua në “Parc des Princes”.
Mbappe ka qenë emri kryesor që trazoi merkaton e verës, pasi vendosi të mos e rinovonte kontratën me parizienët, megjithatë falë këmbënguljes së Al-Khelaifit ai nuk u transferua te Reali i Madridit.
Klubi “merengues” pret ta marrë me parametër zero në fund të sezonit, por as kjo nuk është e sigurt, pasi PSG do të tentojë ta bindë që të rinovojë dhe nuk përjashtohet mundësia që për talentin francez të vijnë oferta të parezistueshme nga klube të tjera të mëdha në Europë.
Top Channel