Një tjetër bomber është gati të lërë Serinë A. Pas Romelu Lukakut, që zgjodhi të rikthehej te Chelsea në Londër, edhe serbi Dusan Vlahovic është drejt largimit me destinacion Madridin, atje ku e pret krahëhapur trajneri i Atleticos, Diego Simeone.

Sulmuesi i talentuar serb mahniti sezonin e kaluar, duke arritur të shënojë 21 gola me fanellën e Fiorentinës dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të shumta në Itali, Angli e Spanjë, ndërsa klubi vjollcë i rinovoi edhe kontratën pak ditë më parë, duke i përmirësuar ndjeshëm pagën.

Megjithatë Atletico e Madridit është prezantuar me një ofertë prej 70 milionë eurosh, aq sa është edhe çmimi që Fiorentina ka vendosur për kartonin e tij, ndaj tani “topi” është në këmbët e presidentit Rocco Commisso, që duhet të zgjedhë nëse do të pranojë paratë, apo do të mbajë lojtarin. Ndërkohë edhe menaxheri i sulmuesit ka fluturuar në fundjavë në Spanjë, ku ka takuar drejtuesit e Atleticos me të cilët ka arritur një marrëveshje paraprake për të një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 5 milionë eurosh neto në sezon.

Me Luis Suarez që ka 36 vite mbi supe, Simeone ka identifikuar pikërisht Vlahovic si profilin e duhur për të udhëhequr repartin e avancuar, teksa plani i trajnerit argjentinas është të formojë një dyshe të frikshme me serbin e portugezin Joao Felix. Nga ana tjetër edhe drejtuesit e Atleticos së Madridit duken të bindur të kënaqin trajnerin e tyre, sidomos pas një viti ku arriti të rikthejë titullin kampion te Los Colchoneros.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA