Biden: SHBA në krah të Kosovës/ Presidenti amerikan falënderon Kosovën për nderimin e të birit

31/07/2021 14:54

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dha medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Biden i ka thënë presidentes Osmani, përmes një video mesazhi se puna e Beau BIden në Kosovë ka qenë e përzemërt.

Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Nipërit e mbesat e mia Natalie dhe Hunter janë pikërisht atje, dhe ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë Beau. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen“, tha Biden.

Presidenti amerikan ka folur edhe për kontributin e Beau Biden për popullin e Kosovës pas luftës.
Biden: ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës për të mbështetur Pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në atë kohë, Kosova ende mbante plagët e freskëta të luftës. Në një sistem drejtësie të zbrazur nga dekada të sundimit totalitar, Beau mund të shihte atë që ju mund të bënit, Beau mund të shihte edhe atëherë të ardhmen që ishte e mundshme për vendin tuaj krenar. E ardhmja që Kosovës i ishte mohuar prej kohësh.
Presidenti Biden ka thënë se Kosova ende ka për të bërë shumë punë, duke premtuar njëherësh se SHBA do të vazhdojë të mbetet partner i saj në të ardhmen.

Kosova ka bërë gjatë 20 vjetëve të fundit, kanë qenë atje njerëz që kanë punuar pa u lodhur për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, dhe Beau e besoi atë për popullin e Kosovës. Ka akoma më shumë punë për të bërë, nuk kam nevojë të ua them, duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Dhe ju premtoj, që SHBA do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë luftë. Isha vërtet i lumtur që munda të ndaj një vaksinë të sigurt dhe efektive, vaksinën Pfizer, me të gjithë ju, nga furnizimi që kishim, që qytetarët e Kosovës të mposhtnin pandeminë Covid 19, dhe pres që vaksina tjera të dërgohen nga nisma ndërkombëtare Covax, dhe dozat do të vijnë brenda javëve. Si president i Shteteve të Bashkuara pres me padurim të vazhdoj thellimin e miqësisë tonë të jashtëzakonshme dhe partneritetin midis dy Kombeve tona“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA