Tennessee, drejt ekzekutimit të gruas së parë pas më shumë se 200 vitesh

23/09/2026 12:18

Më 30 shtator është planifikuar ekzekutimi i Christa Pike, por në Tennesse po kërkohet shtyrja e këtij veprimi. Mediat e huaja shkruajnë se, nëse dënimi zbatohet, Pike do të jetë gruaja e parë që ekzekutohet në këtë shtet amerikan pas më shumë se dy shekujsh.

Chrita Pike u dënua me vdekje për vrasjen e19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 18 vjeçe dhe u bë gruaja më e re e dënuar me vdekje në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sipas dokumenteve të çështjes, Pike dhe dy bashkëpunëtorë e joshën Slemmerin në një zonë pyjore në Knoxville, ku e rrahën dhe e goditën me thikë.

Tashmë, avokatët e Pike i kanë kërkuar guvernatorit të Tennessee, Bill Lee, që t’ia zëvendësojë dënimin me vdekje me burgim të përjetshëm. Në kërkesën për falje, ata i referohen historisë së abuzimit seksual dhe dhunës që Pike, sipas tyre, ka përjetuar që në fëmijëri, si dhe problemeve të rënda psikologjike të lidhura me këto trauma.

“Veprimet e saj në moshën 18-vjeçare nuk mund të shihen të shkëputura nga një fëmijëri e karakterizuar nga përdhunimet, abuzimi seksual dhe neglizhenca”, thuhet në kërkesën e avokatëve.

Avokatja Kelly Gleason deklaroi se guvernatori ka mundësinë të korrigjojë, sipas saj, dështimet e institucioneve që nuk e mbrojtën Pike gjatë fëmijërisë.

Për shtyrjen e ekzekutimit kanë bërë thirrje edhe organizata të tjera. Grupi “Mercy for Christa” argumenton se burgimi i përjetshëm do të ishte një dënim i përshtatshëm, duke iu referuar pasojave fizike dhe psikologjike të abuzimit që Pike kishte përjetuar gjatë fëmijërisë.

Sipas planit aktual, Christe Pike pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës më 30 shtator. Vendimi për kërkesën për falje i takon guvernatorit të Tennessee, Bill Lee.

Top Channel