Netanyahu dhe Mamdani përplasen publikisht, shkëmbejnë akuza para vizitës së kryeministrit izraelit në OKB
Ngrohja ekstreme dhe fenomeni El Niño mund të shkaktojnë deri në 451 mijë vdekje shtesë në mbarë botën, krahasuar me një vit tipik. Ky është alarmi i ngritur nga një studim i “Climate Impact Lab” të Universitetit të Çikagos.
Sipas raportit, gjatë periudhës nga qershori 2026 deri në fund të shkurtit 2027, temperaturat mesatare në sipërfaqen e tokës mund të jenë rreth 1.2°C më të larta, duke sjellë një rritje të ndjeshme të ditëve me temperatura ekstreme.
Studiuesit vlerësojnë se një situatë e tillë mund të nënkuptojë rreth 44% më shumë ditë me nxehtësi ekstreme krahasuar me një vit normal. Sipas tyre, nivele të tilla temperaturash janë të ngjashme me kushtet që ndryshimet klimatike mund t’i bëjnë më të zakonshme rreth dy dekada më vonë.
Michael Greenstone, bashkëthemelues i “Climate Impact Lab” dhe një nga autorët e studimit, paralajmëron se ndikimi i temperaturave të larta mund të zgjasë edhe pas përfundimit të parashikuar të El Niño-s në shkurt. Pasojat e fenomenit mund të ndihen deri në verën e ardhshme.
Vendet më të varfra përballen me rrezikun më të madh
Sipas studiuesve, barra më e madhe e kësaj vale të nxehtësisë pritet të bjerë mbi vendet e varfra, të cilat tashmë përballen me pasiguri ushqimore dhe kosto të larta të energjisë.
Afrika, veçanërisht rajoni i Sahelit, pritet të jetë ndër zonat më të prekura. Studimi vlerëson rreth 66,800 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta në këtë rajon.
Rrezik të konsiderueshëm paraqesin gjithashtu pjesë të Azisë Jugore dhe Juglindore dhe të Amerikës Latine.
Sipas përllogaritjeve të raportit:
-rreth 19,400 vdekje shtesë në Filipine, Vietnam, Tajlandë dhe Kamboxhia;
-rreth 19,300 në Indonezi;
-rreth 15,800 në Indi;
-rreth 13,300 në Brazil.
Studimi e lidh rritjen e rrezikut të vdekjeve me ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme, ndërsa thekson se ndikimet e El Niño-s mund të përforcojnë pasojat e një klime tashmë në ngrohje.
Ekspertët nënvizojnë se shifrat janë parashikime dhe jo një numër i sigurt i viktimave. Ato varen nga intensiteti dhe kohëzgjatja e El Niño-s, temperaturat e regjistruara në muajt e ardhshëm dhe aftësia e vendeve për t’u përshtatur me valët e të nxehtit.
Top Channel