Netanyahu dhe Mamdani përplasen publikisht, shkëmbejnë akuza para vizitës së kryeministrit izraelit në OKB Gjatë tre viteve të fundit, një numër gjithnjë e më i madh izraelitësh kanë blerë prona dhe kanë investuar në Qipro, ndërsa shumë prej tyre janë vendosur përgjithmonë në ishull.
DW thotë se situata e paqëndrueshme në Izrael dhe ndjenja e zgjatur e pasigurisë pas sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe luftërave që pasuan i kanë shtyrë gjithnjë e më shumë izraelitë t’i drejtohen Republikës së Qipros. Për shumë prej tyre ishulli fqinj po shndërrohet nga një destinacion pushimesh dhe investimesh, në një vend ku mund të vendosen përgjithmonë dhe, në disa raste, në një “Plan B” në rast se situata në Izrael përkeqësohet.
“Dua të kem një Plan B nëse situata në Izrael bëhet edhe më e vështirë”, tha një izraelit që së fundmi bleu një shtëpi në një kompleks të madh banimi në distriktin e Limasolit në Qipro. Një tjetër theksoi afërsinë dhe njohjen me Qipron: “Është vetëm 40 minuta fluturim larg, ka të njëjtin peizazh dhe të njëjtën klimë. Është sikur të jesh në Izrael pa qenë vërtet atje.”
Një i tretë e lidhi zhvendosjen e tij me biznesin, duke thënë se shumë kompani izraelite kanë transferuar një pjesë të aktiviteteve të tyre në Qipro, çka ua lehtëson bashkëpunimin tregtar me vendet e Bashkimit Evropian. Republika e Qipros ka më pak se një milion banorë. Sipas vlerësimeve të cituara nga mediat izraelite, të paktën 3.000 familje izraelite jetojnë tashmë përgjithmonë në Qipro, ndërsa numri i tyre rritet me disa qindra çdo vit. Mediat izraelite raportojnë gjithashtu se dhjetëra-mijëra izraelitë kanë blerë prona në ishull. Gazeta “Israel Hayom” ka njoftuar se rreth 20.000 izraelitë zotërojnë prona në Qipro, pa banuar aty gjatë gjithë vitit.
Të dhënat e Kadastrës në Qipro, të paraqitura në parlament, tregojnë se midis viteve 2021 dhe 2024 janë regjistruar gjithsej 3.851 transferime pronash dhe kontrata shitblerjeje me blerës izraelitë vetëm në distriktet bregdetare të Larnakës, Pafosit dhe Limasolit. Megjithate interesi izraelit në Qipro shtrihet përtej apartamenteve dhe shtëpive të pushimit, dhe përfshin edhe toka, zhvillime turistike dhe projekte të mëdha investimi.
Top Channel