Planifikoi gjithçka në Telegram dhe fshehu armën e ftohtë në tualet, 14-vjeçari tenton të sulmojë mësuesen me thikë

23/09/2026 11:39

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Institutin Gjithëpërfshirës “Nicotera-Costabile” në Lamezia Terme të Italisë, ku një nxënës 14-vjeçar dyshohet se kishte planifikuar të sulmonte me thikë mësuesen e tij të gjuhës italiane.

Sipas mediave italiane, i mituri kishte organizuar sulmin përmes një grupi në aplikacionin Telegram. Pikërisht mesazhet e shkëmbyera në platformën e komunikimit kanë bërë të mundur që karabinierët të identifikonin planin dhe të ndërhynin në kohë, duke parandaluar sulmin.

Mësohet se 14-vjeçari kishte fshehur thikën në ambientet e tualeteve të shkollës. Pas ndërhyrjes, gjatë një kontrolli në banesën e familjes, efektivët kanë sekuestruar telefonin celular të të miturit, si edhe veshjet që ai kishte përdorur në fotografi të publikuara në rrjetet sociale.

Për rastin është duke u ruajtur një nivel i lartë konfidencialiteti nga autoritetet, ndërsa detajet janë raportuar fillimisht nga “Gazzetta del Sud”.

Sipas asaj që është bërë e ditur deri tani, motivi i dyshuar lidhet me faktin se nxënësi kishte mbetur në klasë vitin e kaluar. Ai nuk do ta kishte pranuar vendimin për përsëritjen e vitit shkollor dhe, sipas hetimeve paraprake, kjo mund të ketë qenë arsyeja që e shtyu të planifikonte sulmin.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër episodi të rëndë në Itali, ku një mësuese në Romë, Isabella Marsilio, u godit me thikë nga një nxënës 13-vjeçar.

Top Channel