Ciro Immobile është gati për përballjen me Belgjikën në çerekfinalet e Euro 2020-ës. Bomberi italian, që nuk arriti të lërë gjurmë në ndeshjen ndaj Austrisë u shfaq i gatshëm të heqë dorë nga golat e tij, me qëllim që “të kaltrit” të ngrenë lart trofeun në fund të edicionit.
“Kam shënuar vetëm 15 gola me përfaqësuesen dhe e di që janë pak, pasi kam pasur mundësi të bëj më mirë, por jam vënë në dispozicion të skuadrës dhe jam gati të heq dorë nga golat e mi, vetëm që në fund të fitojmë Europianin”, deklaroi Immobile.
Bom,beri i Lazios tha se marrëdhëniet e tij me Mancinin janë mjaft të mira dhe vlerësoi gjithashtu shumë edhe Gianluca Viallin, ish sulmues i njohur, aktualisht pjesë e stafit të përfaqësueses së kaltër.
“Marrëdhëniet me Mancinin kanë ardhur duke u përmirësuar dhe nën urdhrat e tij kam bërë gjithmonë ndeshje të mira. Jam vënë në dispozicion për të bërë atë që ai do prej meje në fushë, por nuk mund të lë pa përmendur edhe ndihmën që po më jep Vialli, pasi ka luajtur në të njëjtin rol dhe ka goxha eksperiencë për të shpërndarë”, tha sulmuesi italian.
Belgjika nuk është një kundërshtar aspak komod për Italinë, që gjithsesi mund të ketë fatin të përballet me “djajtë e kuq” të Europës pa praninë e dy yjeve si Eden Hazard dhe Kevin De Bruyne.
“Nëse konfirmohet mungesa e atyre të dyve, atëherë do të jetë tërësisht një ndeshje tjetër, pasi dihen vlerat e Hazard dhe De Bruyne në fushë. Megjithatë ne po përgatitemi për t’u përballur me Belgjikën më të mirë, pavarësisht se kush do të luajë në fushë”, tha Immobile.
Top Channel