Kushtetuesja shqyrton legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit/ Përfaqësuesja e qeverisë kërkon rrëzimin e kërkesës së Ademit

23/06/2021 18:51

Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot seancën e parë në lidhje me padinë e Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të 2019.

Përfaqësuesja e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, Elira Kokona ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së bërë më 18 korrik të vitit 2019, ku kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi në emër të “Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë”, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke i quajtur antikushtetuese dhe të pavlefshme.

Sipas Kokonës, kërkuesi pretendon se procesi zgjedhor është antikushtetues dhe cenon parimin e shtetit të së drejtës, të drejtën për të zgjedhur, parimin e fshehtësisë së votimit dhe parimin e proporcionalitetit.

“Kërkuesi gjithë pretendimin e tij e mbështet në faktin e ndryshimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore nga Presidenti i Republikës, duke nxjerrë tre dekrete me përmbajtje të ndryshme për këtë qëllim.  Këshilli i Ministrave vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet në inicimin e këtij procesi, pretendimet e tij janë jashtë objektit të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese dhe për këtëkërkesa duhet të rrëzohet”, tha ajo.

Ajo thekson se kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese është nënshkruar nga Voltana Ademi në cilësinë e Kryetares dhe avokatit Jordan Daci në cilësinë e përfaqësuesit, por sipas rregullave të brendshme të organizimit, asnjëri prej tyre nuk ka cilësinë për të qenë përfaqësues i shoqatës.

Sipas analizës së përfaësues së qeverisë, mbështetur në Nenin 116 të Kushtetutës, është përcaktuar hierarkia e akteve, ku referuar përmbajtjes të dispozitës, dekreti i Presidentit nuk klasifikohet në asnjë prej akteve me fuqi të barabartë apo mbi ligjin dhe natyrshëm dekreti i  tij do të konsiderohet një akt nënligjor individual.

“Këshilli i Ministrave vlerëson se ligjshmëria e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i tyre, është një proces që është konfirmuar nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Kolegji Zgjedhor ka marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 tetor 2019 dhe ka vlerësuar se ai është një akt absolutisht i pavlefshëm. Kolegji zgjedhor ka shpjeguar se dekreti ka dalë përtej afateve të parashikuara nga ligji dhe jashtë kompetencës së tij. Kolegji Zgjedhor në vendimin e cituar më sipër nr. 12, datë 24.06.2019, kur ka shqyrtuar edhe procesin e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, ka vlerësuar se: anullimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës”, tha Kokona duke theksuar se Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Presidenti nuk ka një kompetencë të qartë në lidhje me shtyrjen e datës së njoftuar të zgjedhjeve.

Ajo ka theksuar se Këshilli i Ministrave vlerëson se ligjshmëria e procesit të datës 30 qershor 2019 nuk mund të vihet në diskutim, ndërsa është respektuar cdo parim i ligjshmërisë dhe shtetit të së drejtës.

“Gjykatat e brendshme nuk janë të vetmet autoritete që kanë vlerësuar si të pa ligjshëm këtë proces dhe kanë vlerësuar legjitimitetin e mbajtjes së zgjedhjeve në datën 30 qershor 2019. Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Presidenti i republikës nuk ka një kompetencë të qartë në lidhje me shtyrjen e datës së njoftuar të zgjedhjeve. Në opinionin e tij Nr. 959/2019, CDL-AD(2019)019, datë 14.10.2019 Komisioni i Venecias, ka vlerësuar se në mënyrë që të aplikohet ndryshimi i datës së zgjedhjeve, duhet që të ketë një parashikim të qartë ligjor dhe nga ana tjetër të jenë të përcaktuara qartësisht procedurat në këtë drejtim. Në kushtet kur Presidenti ka vepruar në kushte të ndalesës ligjore, as diskrecinale madje, Këshilli i Ministrave vlerëson se ligjshmëria e procesit të datës 30 qershor 2019 nuk mund të vihet në diskutim.  Përfundimisht, Këshilli i Ministrave vlerëson se procesi zgjedhor i mbajtur në datën 30 qershor 2019 ka respektuar parimin e ligjshmërisë dhe shtetit të së drejtës. Çdo alternativë e sugjeruar nga kërkuesi në këtë drejtim vlerësohet si në shkelje të parimeve kushtetuese të periodicitetit dhe ushtrimit të pushtetit sovran“, tha përfaqësuesja e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.

Shpjegime per Seance Shoqata e Bashkive – Kushtetushmeria e Zgjedhjeve 21.06.2021

Top Channel