Polemikat për dëmet nga përmbytjet, opozita akuzon qeverinë, ministri Salla: Procesi i kompensimit nuk është harruar

23/04/2026 19:51

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD-së, Zija Ismaili, i kujtoi ministrit të Bujqësisë se fermerëve të prekur nga përmbytjet u ishin premtuar para dhe jo ushqime. Sipas tij, mungesa e kompensimit ka sjellë tkurrje të prodhimit.

“U ngritën komisionet lokale në bashkitë e përmbytura dhe, në fund, qeveria shpërndau vetëm 1 kg ushqim për bagëtinë e imët dhe 5 kg ushqim për gjedhët”, tha Ismaili.

Nga ana tjetër, ministri Andis Salla iu përgjigj akuzave të opozitës, duke theksuar se nuk është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë të dëmshpërblejë fermerët për dëmet nga përmbytjet.

“Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë nuk e kanë në fushën e tyre përgjegjësinë e dëmshpërblimit”, u shpreh ministri Andis Salla.

Ai shtoi se procesi i dëmshpërblimit të fermerëve është vonuar, por nuk është harruar.

“Do të kalojmë nëpërmjet qeverisë shqiptare për dëmshpërblimet e tyre”, u shpreh Salla.

Në Qarkun e Beratit, serat nuk u përmbytën nga shiu, por nga neglizhenca për të pastruar kanalet dhe restauruar argjinaturën e dëmtuar të lumenjve.

“Nuk u përmendën se çfarë investimesh janë bërë në kanale dhe në argjinatura në zonat dhe tokat ku jetojnë këta fermerë”, tha deputeti demokrat Zija Ismaili.

Ndryshe nga mendimi opozitar, Salla foli për investimeve ku në qarkun e Beratit 218 mln do të shkojnë për mbrojtje në lumin Osum, por gjithashtu ai pranoi se këto para të hedhura në kanale nuk parandalojnë përmbytjet.

“Vendi ynë konsiderohet shumë i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, ku në veçanti përmbytjet kanë një impakt negativ të konsiderueshëm”, tha ministri Salla.

Paratë e investimeve nuk justifikojnë ujin që zaptoi tokat bujqësore.

“Kush e ka përgjegjësinë për hapjen e portave të HEC-it të Banjës?”, tha demokrati Ismaili.

Edhe pse që në krye të seancës parlamentare deputetit Erald Kapri iu refuzua kërkesa për interpelancë me ministrin Andis Salla, ai gjeti mundësinë të risillte çështjen përsëri.

“Nuk e di z. ministër, e njihni këtë personin në fotografi. Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës ka marrë 250 mijë euro dhe AZHBR-ja juaj ka kërkuar t’i kthejë mbrapsht”, deklaroi Kapri.

Toni i lartë i Kaprit u shoqërua me heshtje të ministrit.

Top Channel