Me gishtin lart për të treguar se gjithçka tani është mirë, me një buzëqeshje të sinqertë, edhe pse paksa i lodhur. Prezantohet kështu Christian Eriksen në profilin e tij në Instagram, drejt e nga krevati i spitalit të Kopenhagenit, ku është shtruar prej së shtunës.
“Përshëndetje të gjithëve, ju falënderoj për mesazhet tuaja nga gjithë bota. Kjo do të thotë shumë për mua dhe për familjen time. Jam mirë, duke patur parasysh rrethanat. Duhet të bëj ekzaminime të tjera në spital, por jam mirë. Tani do të bëj tifo për shokët e Danimarkës në ndeshjet e radhës”.
Është ky postimi i Eriksenit. Danimarka ndërkohë e vizituar në grumbullimi nga Princi Frederik i kurorëz daneze në vigjilje të sfidës së dytë, gjen veten mes Belgjikës dhe Eriksenit. E pamundur t’i ndajë gjërat dhe nuk ja del as trajneri Kasper Hjulmand, që u prezantua në konferencën për shtyp.
“Kontaktet tona me Eriksenin janë të vazhdueshme, e gjithë skuadra vazhdon të flasë me të, edhe unë po ashtu. Është diçka shumë e bukur për ne të shohim buzëqeshjet e tij duke e ditur që ekzaminimet që po bën po ecin mirë”. Ndërkohë trajneri i Danimarkës kishte një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet se si do t’ia bënin për të zëvendësuar Eriksenin kundër Belgjikës.
“Christiani nuk mund të zëvendësohet, është e pamundur ta bësh. Ai është më i miri nga të gjithë, është një lider. Influencon skuadrën me vendimet dhe lojën e tij si dhe me aftësinë e tij në kontrollin e hapësirave nëpërmjet pasimeve që bën. Ne do të provojmë së bashku, si skuadër, për të mbushur atë boshllëk. Jemi të fortë, të bashkuar, dhe gati për të luftuar”.
Top Channel