Pësoi kolaps gjatë stërvitjes, Bayern Munich reagon zyrtarisht për Kompany: Si paraqitet gjendja shëndetësore e trajnerit belg
Gjendja e trajnerit belg është e qëndrueshme, por ai do të qëndrojë për disa ditë në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme. Drejtori sportiv Max Eberl paralajmëron se rikthimi mund të kërkojë javë dhe jo ditë.
Bayern Munich po përballet me një situatë shqetësuese për trajnerin Vincent Kompany, i cili u rrëzua të premten gjatë stërvitjes dhe u transportua me helikopter drejt spitalit nga qendra stërvitore e klubit gjerman. Lajmet e fundit janë inkurajuese për sa i përket gjendjes së tij, e cila raportohet se është e qëndrueshme. Megjithatë, trajneri belg do të qëndrojë edhe disa ditë në spital, ndërsa mjekët po kryejnë ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të problemit shëndetësor. Informacionet e fundit i bëri të ditura drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, i cili theksoi se shëndeti i trajnerit është prioriteti absolut i klubit.
“Kompany është në spital dhe do të qëndrojë atje për disa ditë. Duhet që gjithçka të përcaktohet, të ekzaminohet, të kontrollohet dhe të konfirmohet. Kjo tregon edhe një herë se futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Më e rëndësishmja është shëndeti”, deklaroi Eberl. Drejtuesi i klubit bavarez shtoi se Bayern qëndron i bashkuar në këtë periudhë dhe se Kompany do të rikthehet në punë vetëm kur të ndihet plotësisht i gatshëm.
Sipas raportimeve, dobësia fizike mund të lidhet me një virus me të cilin trajneri ishte përballur ditët e fundit, duke punuar me intensitet të reduktuar. Megjithatë, shkaku i saktë nuk është konfirmuar dhe nevojiten kontrolle të tjera për të përcaktuar diagnozën dhe trajtimin e duhur.
“Javë, jo ditë” për rikthimin
Sinjali më i qartë për kohëzgjatjen e mungesës erdhi sërish nga Max Eberl, i cili bëri të ditur se mund të kalojnë javë përpara se trajneri të jetë sërish në dispozicion të skuadrës. Deri në rikthimin e belgut, drejtimin e ekipit do ta marrë asistenti i tij, Aaron Danks, i ndihmuar nga René Marić, Floribert N’Galula dhe Daniel Fradley. Për momentin, prioriteti i Bayernit mbetet rikuperimi i plotë i Kompanyt, ndërsa klubi pret rezultatet e ekzaminimeve të mëtejshme për të kuptuar më mirë natyrën e problemit shëndetësor.
Top Channel