Një roman në emër të bashkëjetesës/ Gazetari i minoritetit grek vjen me librin gjysmë autobiografik “Deri kur…”

07/02/2021 12:19

Vasil Kaliva, gazetar i njohur nga minoriteti grek vjen për publikun me romanin  gjysmë autobiografik “Deri kur…” Libri është një rrëfim i ngjarjeve historike disa dekadëshe që kanë trazuar harmoninë dhe kanë nxitur ksenofobinë mes dy popujve shqiptar dhe grek. 

Është një botim në gjuhën shqipe që sjell për lexuesin dëshmi të trishta të nacionalizmit të sëmurë, fenomeve të korrupsionit, mashtrimit me qëllim fitimin dhe abuzimin e vajzave të pambrojtura në këmbim të vizave dhe bursave.

 “ Unë në këtë libër doja të prekja shfrytëzimin e vajzave të vogla të cilat që nga koha e komunizmit e deri më sot i shfrytëzojnë punonjësit publikë, duke filluar që nga deputetë, konsuj, këshilltarë, drejtorë, njerëz të thjeshtë dhe i nxjerrin në treg për të fituar para vetëm ata dhe këta mbeten një shtresë shumë e dobët e shoqërisë. Shfrytëzimi shpesh lidhet me ptentimet e nxjerrjes së vizave apo dhënies së bursave.”

Megjithëse personazhet e romanit janë të krijuar nga autori shumica e tyre vijnë nga realiteti dhe fshehin emra dhe përgjegjësi reale. Kaliva sjell në vëmendje fakte të ndjeshme të jetuara rreth sillogjeve greke të mbledhura këtej dhe andej kufirit në emër të tezës së Vorio Epirit.

“ Ata jetojnë në qytetet e mëdha në Athinë, janë kryetarët e sillogjeve, janë ata që i prishin punë nëpërmjet nacionalizmit të sëmurë marrëdhënies së dy vendeve. Unë jam patriot por nuk jam i sëmurë. Ndonjëherë e kam tejkaluar vetveten për hir të një mase të gjerë që më ka vënë në mes dhe isha i detyruar të bëja edhe unë atë gjë. Unë e korrigjoj vetveten se di të korrigjohem por ata nuk korrigjohen. Vajtën 30 vjet dhe e njëjta gjë me sillogjet. Shiko unë e them hapur në libër se çfarë është Vorio Epiri sot. Vorio Epiri nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria e sotme. Unë nuk jam për ndarje kufinjsh. Ishte një tejkalim i vetvetes që ti mëshoj një problemi kaq të madh për të cilin shumë vetë heshtin dhe kjo heshtje nuk më pëlqen.

Libri në gjuhën shqipe është për këtë vend sepse këtu rreth nesh, në Gjirokastër, në Sarandë njerëzit flasin shqip shumica nuk flasin greqisht pavarësisht se gjuhën greke e dinë shumë. Unë nuk do të mohoj origjinën por libri në gjuhën shqipe është më gjithëpërfshirës dhe është më domethënës për këtë vend ku ne jetojmë.”

Vasil Kaliva që jeton në Dhrovjanin e braktisur të 13 kishave dhe 40 puseve historike në bashkinë e Finiqit beson se romani i tij i kritikuar nga disa qarqe greke por edhe shqiptare nuk ndan, por vetëm bashkon. Ai identifikon qartë një tjetër ndarje atë mes qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë ku bëjnë pjesë edhe minoritarët greke nga njëra anë  dhe pushtetarëve të korruptuar, fetarëve ekstremistë, e anarkistëve të paguar nga ana tjetër.

Top Channel