Gjykata e Durrësit ka liruar shtatë të arrestuarit për protestën e organizuar në Durrës për Klodian Rashën.
Gjykata vendosi masën e sigurimit personal ”detyrim paraqitjeje” ndaj të arrestuarve të policisë pas protestës së të premtes së kaluar.
Nën akuzën se organizuan, para bashkisë dhe drejtorisë së policisë vendore, grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, kundërshtuan punonjësit e policisë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transporteve, policia e Durrësit arrestoi në flagrancë 7 shtetas, procedoi penalisht 15 shtetas, si dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë.
Ndaj të proceduarve penalisht për protestën rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”.
Sipas akuzës, shtetasit e arrestuar kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për t’u shpërndarë dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në qytet.
Pas protestës së parë, që u karakterizua nga tensione nën thirrjet ”Drejtësi për Klodianin”, nata e dytë e protestave u mbyll me përqafime, mesazh mbështetjeje dhe qytetarie nga ana e të rinjve protestues për uniformat blu në Durrës.
Top Channel