19 mësues dhe 11 nxënës rezultojnë pozitivë, në 72 kopshtet e shkollat publike dhe jo publike të rrethit bregdetar të Durrësit.
Shifrat bazohen në raportin e ISHP-së mbi rastet aktive, ndërkohë që dhe 67 mësues të tjerë janë karantinuar dhe qëndrojnë në pritje të rezultatit të tamponit. Pavarësisht rasteve pozitive dhe numrit të lartë të të karantinuarve, situata në shkollat e Durrësit, sipas autoriteteve arsimore, është nën kontroll.
Zyra Vendore Arsimore Durrës bën të ditur për Top Channel se rastet janë të shpërndara në shkolla të ndryshme dhe nuk mund të flitet në asnjë rast për objekte arsimore që janë kthyer në vatra infeksioni. Në rastet e konstatuara është bërë dezinfektimi i shkollës dhe zëvendësimi i mësuesve të infektuar me mësues të tjerë. Aktualisht, mësimi vijon të zhvillohet normalisht, në kushtet e diktuara nga pandemia dhe në asnjë rast nuk është kaluar në mësim online.
Kalimi në të mësuarit online po planifikohet për disa klasa të gjimnazit ”Gjergj Kastrioti”, ku 5 mësues rezultojnë të karantinuar. Që nga fillimi i vitit shkollor, nxënësit e kësaj shkolle të mesme bëjnë mësim pasdite në ambientet e universitetit ”Aleksandër Moisiu” në Currila.
Top Channel