Irani pretendon se ka goditur 10 anije pranë Hormuzit pas sulmeve amerikane, SHBA e mohon, nafta në çmime të larta

09/09/2026 20:49

Irani pretendon se ka sulmuar 10 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmeve amerikane që, sipas Uashingtonit, fundosën pesë cisterna iraniane.

Përshkallëzimi ka shtyrë çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi dhe ka rritur shqetësimet për furnizimet globale me energji.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha të mërkurën se mes anijeve të goditura ishin dy anije amerikane dhe tetë cisterna nafte. Sipas autoriteteve iraniane, të paktën një marinar është vrarë dhe një tjetër rezulton i zhdukur.

Shtetet e Bashkuara kanë mohuar se anijet e tyre janë goditur. Komanda Qendrore amerikane deklaroi se të gjitha sulmet e tentuara kundër anijeve amerikane dështuan.

Përshkallëzimi vjen pasi ushtria amerikane tha se kishte shkatërruar pesë cisterna iraniane gjatë natës. Uashingtoni e cilësoi operacionin si kundërpërgjigje ndaj dy përpjekjeve të Iranit për të goditur një anije luftarake amerikane gjatë dy ditëve të mëparshme.

Zhvillimet në Hormuz kanë tronditur tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës ka kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga korriku.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Para konfliktit SHBA-Iran, nëpër këtë rrugë kalonte deri në 20% e naftës dhe gazit botëror. Një ndërprerje e zgjatur e trafikut mund të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe të ndikojë në inflacionin global.

Në Shtetet e Bashkuara, tregjet e aksioneve kanë reaguar negativisht ndaj zhvillimeve, ndërsa rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve mund të shtojë presionin mbi administratën Trump përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Teherani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me forcë ndaj sulmeve amerikane. Sipas IRGC-së, për çdo dy ose tre cisterna iraniane të goditura, Irani do të kundërpërgjigjet duke goditur deri në 20 anije.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar gjithashtu shpalljen e një zone shumë më të gjerë pranë Hormuzit si zonë të ndaluar për lundrim. Zona e re do të shtrihej deri në Gjirin pranë Çabaharit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se SHBA-ja do të vazhdojë të godasë cisternat iraniane nëse Teherani sulmon anijet luftarake amerikane.

Top Channel