Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar skadimin e embargos ndërkombëtare të armëve ndaj Iranit, duke thënë se do të përdorin ligjet amerikane për të ndëshkuar çdo furnizues armësh që bën tregëti me Republikën Islamike.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shprehu kundërshtimin e Uashingtonit përmes një postimi në rrjetin Twitter të dielën.
“Asnjë vend që dëshiron një Lindje të Mesme në paqe, nuk duhet të çojë në mendje shitjen e armatimeve Iranit. Jemi të përgatitur të përdorimin e autoritetit të brendshëm për të sanksionuar individët ose subjektet që kontribuojnë tek këto shitje armësh.”
Një tjetër deklaratë e publikuar të shtunën nga kryediplomati amerikan Mike Pompeo dha një interpretim të ndryshëm për embargon e armëve, duke thënë se “virtualisht të gjitha sanksionet ndaj Iranit u kthyen” me 19 shtator pasi Uashingtoni shkaktoi kthimin mbrapsht të dispozitës së vitit 2015 që njihet si JCPOA ose marrëveshja bërthamore me Iranin.
Fuqi të tjera botërore, përfshirë aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara, nuk pajtohen me interpretimin amerikan, duke thënë se duke u tërhequr nga JCPOA në vitin 2018, Uashingtoni humbi të drejtën për të përdorur mekanizmin në fjalë.
Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif tha se heqja e embargos së armëve ishte një sukses për diplomacinë e vendit të tij.
“Një ditë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar, i cili në kundërshtim me përpjekjet keqdashëse amerikane, ka mbrojtur Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe JCPOA,” shkroi Zarif në rrjetin Twitter të dielën.
“Normalizimi i sotëm i bashkëpunimit mbrojtës të Iranit me botën është një fitore për kauzën ndërkombëtare dhe paqen dhe sigurinë në rajonin tonë,” shtoi ai.
Blerja e armëve nga Irani
Pavarësisht skadimit të embargos dhjetëvjeçare, disa ekspertë dyshojnë se Irani do të bëjë blerje të shumta armësh ndërsa ekonomia e atij vendi po vuan nën sanksionet dërrmuese amerikane.
“Situata e vështirë ekonomike e Iranit mbetet pengesa më e madhe për blerjen e armëve në shkallë të gjerë,” shkruante Nicole Grajewski me Programin Ndërkombëtar të Sigurisë në Qendrën Belfer në një artikull të publikuar në faqen e internetit “Russia Matter” të qendrës në fjalë.
“Thjesht është e pamundur për një vend që po përballet me një rrënim ekonomik që të blejë armë si raketat S-400 apo avionë luftarakë”, shkruante ajo.
Sistemet e armëve të importuara nga Irani datojnë kryesisht që para Revolucionit Islamik të vitit 1979, kur edhe u rrëzua mbreti pro-perëndimor Mohammad Reza Pahlavi. Këto armatime, thonë ekspertët, kanë nevojë për përmirësime tani.
Ministri i Mbrojtjes së Iranit Amir Hatami, megjithatë u mburr të dielën me armët e prodhuara nga vendi i tij.
Teheran Times në pronësi të shtetit Iranian citonte zotin zotin Hatami të ketë thënë se: “Terreni për shitjen dhe blerjen e armëve është përgatitur për Republikën Islamike të Iranit, por padyshim do të ketë më shumë shitje”.
Sanksionet amerikane
Që nga tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018, Uashingtoni ka vënë gjithnjë e më shumë sanksione ndaj atyre që bëjnë tregti me Teheranin. Aktualisht, pothuajse të gjithë sektorët kyç të ekonomisë së bazuar nga nafta janë nën sanskionet e Shteteve të Bashkuara.
Raundi më i fundit i sanksioneve, i prezantuar në fillim të tetorit, vuri në shënjestër 18 banka kryesore me qendër në Iran. Kjo erdhi pas urdhërit ekzekutiv në muajin shtator të Presidentit Donald Trump për të “kufizuar përpjekjet e Iranit për të shtënë në dorë armë bërthamore, raketa balistike dhe armë konvencionale.”
Rusia dhe Kina shihen si furnizuesit më të mundëshëm me armatime për Iranin ndërsa të dy vendet kanë deklaruar publikisht gatishmërinë e tyre për t’i shitur armë Teheranit.
Por ekspertët janë të ndarë nëse sanksionet amerikane kanë fuqinë për të penguar Moskën dhe Pekinin nga nënshkrimi i kontratave të mbrojtjes me Iranin.
“Kundërshtimi nga administrata e Presidentit Trump ndaj shitjes së armëve Iranit mund të stimulojë rusët dhe kinezët që të njoftojnë transferta të reja, që ndoshta do të marrin pak kohë për t’u zbatuar,” tha për Zërin e Amerikës Barbara Slavin, e cila drejton Nismën për të Ardhmen e Iranit në Këshillin e Atlantikut.
Nga ana tjetër, Behnam Ben me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në kryeqytetin amerikan, thotë se kërcënimi me sanksione nga administrata e Presidentit Trump sëbashku me autoritetet e mëparshme, “përbëjnë mjete të fuqishme jo-kinetike për të parandaluar ose ndëshkuar shitjet apo transferimin e armëve.”
Edhe pse sanksionet e reja përfshijnë një bankë të lidhur me ushtrinë, disa ekspertë sugjerojnë se ndikimi i tyre në vend do të ishte simbolik.
“Zyrtarët iranianë kanë pranuar tashmë se ndërveprimi i tyre me sistemin global është bllokuar për muaj të tërë,” tha analisti Alex Vatanka me Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
“Pra, më shumë sanksione nuk do ta përkeqësonin domosdoshmërisht situatën e tyre, pasi guvernatori i bankës qendrore të Iranit e ka bërë të qartë se pothuajse të gjitha kompanitë dhe vendet po qendrojnë larg nga marrëdhëniet me Iranin.”
Përjashtimet humanitare
Uashingtoni thotë se sanksionet amerikane bëjnë përjashtime kur flitet për çështjet humanitare, duke lejuar dërgimin e ndihmave për popullin iranian ndërsa luftojnë me pandeminë e koronavirusit.
Kjo u bë e qartë nga Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin me 8 tetor ndërsa shpalosi raundin më të fundit të sanksioneve ndaj Iranit.
“Sanksionet tona do të vazhdojnë deri sa Irani të ndalojë mbështetjen për aktivitete terroriste dhe t’u japë fund programeve bërthamore. Veprimet e sotme do të vazhdojnë të lejojnë transanksionet humanitare në mbështetje të popullit iranian.”
Duke reaguar ndaj sankioneve amerikane, Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif tha se përcaktimi bankave në sanksione ka për qëllim ta “bëjë popullin iranian që të vuajë nga uria”.
“Mes pandemisë së koronavirusit, regjimi amerikan dëshiron të shkatërrojë kanalet që na kanë mbetur për të paguar për ushqime dhe ilaçe.”
Jason Brodsky me grupin “United Against Nuclear Iran” me qendër në Shtetet e Bashkuara tha se sanksionet amerikane do të ndihmonin më tepër në ekspozimin e politikave iraniane që vënë eventurat ushtarake mbi mirëqënien e popullit iranian.
“Vetëm pak javë më parë, ministri i shëndetësisë iraniane u ankua se vetëm një pjesë e vogël e fondeve të premtuara nga Fondi për Zhvillim Kombëtar (NDF), që kontrollohet nga udhëheqësi suprem iranian, ishin marrë për të luftuar koronavirusin.”
Zoti Brodsky tha se Fondi për Zhvillim Kombëtar është përdorur në të kaluarën për të financuar veprime keqdashëse të Iranit në të gjithë rajonin./Voa/
Top Channel