Valentina dhe djali i saj tashmë i bërë baba, nuk i kanë humbur kurrë shpresat se një ditë do të ritakohen me Julianën. Kjo nënë që nuk gjen qetësi që prej marsit të vitit 1992 apelon mes lotësh që vajza e saj të kthehet në shtëpi. Dëshira e saj e vetme është që të takohet me Julianën para se të ndahet nga kjo botë.
“Bija e nënës kudo që të jesh ktheje një herë kokën mbrapa të shikosh lotët e mamit tënd, që kam 28 vjet që po të kërkoj. Të shikosh vëllain tënd që e le në klasë të parë dhe sot është bërë baba. Është bërë goca në moshën që ti ike. Bija e nënës eja te mami në shtëpi. Babin nuk do ta gjesh por do të gjesh vëllain, mamin, do të gjesh njerëzit e tjerë.
Mami ka bërë gjithçkas për të të gjetur ty, për të parë edhe një herë sytë e tu, të dëgjoj zërin tënd. Bija e nënës nëse ti jeton, kudo që të jesh, nëse ke krijuar familjen tënde, qofsh e lumtur dhe gëzofsh jetën tënde. Të lutem Juliana, ktheje kokën mbrapa, babi i mbylli sytë por të paktën të mos iki edhe unë me pishmanllëk.
E di që në shtator ke ditëlindjen dhe bën 35 vjeç, ke qenë 6 vjeç e gjysëm kur ke ikur. Nëse ke fëmijë kujtohu që edhe nëna jote ka patur një fëmijë dhe sot më pikon zemra gjak. Kur shoh fëmijën e vëllait tënd që është në atë moshë, kur ke ikur ti”, apelon nëna e Julianës.
Top Channel