Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se shpreson se do të shohë edhe shtete tjera arabe duke ndjekur vendimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Pompeo ka thënë se një gjë e tillë jo vetëm që do ta rriste stabilitetin në Lindjen e Mesme, por edhe do të përmirësonte jetën e njerëzve.
Megjithatë, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të sigurohen që Izraeli të ruajë avantazhin ushtarak.
Pompeo i ka bërë këto deklarata pasi takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Izrael, duke nisur kështu vizitën pesëditore që do të përfshijë edhe vizita në Sudan, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump ka ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje historike në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kjo njëherësh ka qenë vetëm marrëveshja e tretë e nënshkruar ndonjëherë në mes të Izraelit dhe një shteti arab.
Sipas marrëveshjes, këto dy shtete janë pajtuar për lidhje të plotë diplomatike – këmbim të ambasadorëve, nisje të fluturimeve direke dhe hapje të ekonomisë.
Izraeli po ashtu ka thënë se do të pezullojë planin për aneksim të disa pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, veprim që shumë besojnë se ka mbytur mundësitë për arritje të paqes me palestinezët.
Kjo pasi, palestinezët kanë akuzuar zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe për tradhti.
Në marrëveshjet e kaluara ishte premtuar vetëm përmirësim i marrëdhënieve mes Izraelit dhe kombeve arabe, në kuadër të marrëveshjeve për dhënie fund të konflikteve.
Top Channel