Një vit më parë Reali provoi të transferojë në Madrid mbrojtësin sllovak të Interit, Milan Skriniar, por hasi në pretendimet mjaft të larta të zikaltërve, që kërkuan plot 100 milionë euro për të hequr dorë nga 25-vjeçar. Kjo bëri që madrilenët të ndryshojnë objektiv dhe të blejnë nga Porto mbrojtësin brazilian Eder Militao, i cili deri tani ka mbetur në hijen e dyshes Varane-Sergio Ramos dhe nuk ka arritur të justifikojë shpenzimin e bërë për të.
Por një vit më vonë gjërat kanë ndryshuar, situata e krijuar prej pandemisë ka bërë që çmimet e futbollistëve të vijnë në rënie dhe ulja në stolin zikaltër të Antonio Contes ka bërë që Milan Skriniar të mos jetë më i pa-shitshëm. Kjo pasi mbrojtësi sllovak nuk është përshtatur aspak në skemën me 3 në prapavijë, që aplikohet nag Conte dhe jo më kot në fazën finale të kampionatit ka mbetur shpeshherë në stol, duke u parakaluar në hierarki nga Diego Godin dhe Alessandro Bastoni.
Pikërisht për këtë arsye, Reali është rikthyer sërish në garë për të marrë shërbimet e qendërmbrojtësit 25-vjeçar, i cili shihet si pasardhësi ideal i Sergio Ramos, me këtë të fundit që ka 34 vite mbi supe dhe po i ka mbetur vetëm një vit kontratë me Los Blancos. Marrëdhëniet e drejtuesve të Realit me ata të Interit janë mjaft të mira, pasi vetëm pak ditë më parë mbyllën me sukses transferimin në Milano të mbrojtësit maroken Achraf Hakimi, për shifrën e 40 milionë eurove.
Shumë shpejt palët pritet të ulen sërish në tryezë, këtë herë për të folur për transferimin e Skriniar, për kartonin e të cilit në Milano do të kënaqeshin edhe me një shifër prej 60 milionë eurosh. Kujtojmë që Milan Skriniar veshi fanellën zikaltër në verën e 2017-ës, pasi Interi pagoi rreth 28 milionë euro për kartonin e tij te Sampdoria dhe që atëherë sllovaku ka 128 ndeshje dhe ka shënuar edhe 4 gola.
Top Channel