Ekziston një enklavë e vogël belge në jug të Holandës ku respektimi i dy lloje rregullash për të luftuar koronavirusin është bërë një sfidë e përditshme, me kufirin ndërkombëtar që kalon mes për mes rrugëve e madje ndan në mes në disa raste edhe dyqane e shtëpi.
Qyteti i vogël Baarle Hertog, është i ngjitur me fqinjin holandez Baarle Nassau, por 22 enklavat e tij janë në territor Belg dhe pjesë e Bashkisë së Antverpit që gjendet 50 km larg.
Më parë, askush nuk shqetësohej shumë për faktin se Baarle Hertog-u belg ishte krejtësisht i rrethuar nga Holanda, me kufirin që kalonte si një dekor mes dy qyteteve dhe ku pozicioni i derës së shtëpisë përcaktonte se në cilin vend jeton. Por, më pas erdhi pandemia e koronavirusit, me Belgjikën që ndjek një model rregullash dhe Holandën një tjetër, dhe konfuzioni mbretëron tani.
Në Baarle Hertog, si në Antverp, mbajtja e maskës në publik është e detyrueshme. Në Baarle Nasau, në Holandë, maska kërkohet vetëm në transportin publik. Njerëzit nuk e kuptojnë nëse duhet të mbajnë një maskë kur hyjnë në dyqanin tim apo jo”, thotë Silvia Reijbrok, galeria e artit të së cilës është e ndarë nga kufiri, e kjo shënohet me disa kryqe të bardha në dysheme.
Ata që hyjnë në galeri nga ana belge, duhet të vendosin maskë deri në një pikë të caktuar, nëse e kalojnë atë, mund ta heqin sepse kanë kaluar kufirin. Edhe izolimi ishte i ndryshëm. Ana belge e galerisë, duhej të mbyllej, ajo holandeze jo, sepse kjo e fundit ishte ndër të paktët vende në Evropë që nuk urdhëroi karantinë të plotë në kulmin e pandemisë, por zgjodhi ato që i quante izolime inteligjente. Para koronavirusit, nuk kishte problem me kufijtë. Tani, gjithçka është ndryshe- thonë banorët.
Top Channel