Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kohëzgjatja e pandemisë së koronavirusit me gjasë do të jetë “e gjatë”, teksa shumë shtete po regjistrojnë rekorde rastesh të reja dhe është rritur frika se virusi po rikthehet.
Ky vlerësim i OBSH-së bërë publik më 1 gusht, erdhi vetëm një ditë pasi komiteti i emergjencave të kësaj organizate, u takua për të vlerësuar krizën, gjashtë muaj pasi e shpalli koronavirusin si emergjencë shëndetësore publike, me shqetësim ndërkombëtar.
“Komiteti ka vlerësuar kohëzgjatjen e parashikuar të pandemisë COVID-19, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të komunitetit kombëtar, rajonal dhe global”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirusin e ri në Kinë në fund të vitit 2019, ky virus ka marrë jetën e më shumë se 681,000 personave dhe të paktën 17,7 milionë persona janë infektuar, thuhet në të dhënat e publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Pandemia e koronavirusit u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke detyruar shumë shtete që të aplikojnë masa të ashpra të izolimit.
Para këtij takimi të komitetit të emergjencave, drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, tha se efektet e pandemisë do të jenë afatgjate.
“Vetëm të mendosh se para gjashtë muajsh, kur ne rekomanduam që të shpallet emergjencë shëndetësore, atëbotë kishte më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje të regjistruar jashtë Kinës”, deklaroi ai.
“Pandemia është një krizë që ndodh një herë brenda një shekulli, efektet e së cilës do të ndihen për dekada”, tha ai.
Top Channel