Ikona e Teatrit Kombëtar, Robert Ndrenika ka ripohuar mbështetjen e tij për ndërtimin e teatrit të ri.
Në një prononcim për mediat, Ndrenika thekson se është njohur me projektin e godinës së re pasi e kanë thirrur në zyrë, regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri dhe se në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla.
Ai thekson se në këtë projekt janë të pasqyruara të gjithë kërkesat e komunitetit të artistëve.
“Falenderim!
Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.
Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë.
Me respekte të ndërsjella,
Robert Ndrenika”, thekson artisti i njohur Robert Ndrenika.
Top Channel