Nis “Serenights Festival”, rikthehen tingujt e kitarave dhe magjia e serenatave në qytetin e Korçës Foto të rralla të Nënë Terezës në misionet e saj në Indi dhe në vizat në Shqipëri u ekspozuan nga Ambasada e Indisë në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog.
Ekspozita paraqet trashëgiminë e jashtëzakonshme humanitare të Shenjtores, që ia dedikoi jetën shërbimit ndaj më të varfërve dhe më të pambrojturve
“Nënë Tereza mishëron më së miri Shqipërinë dhe popullin e saj. Megjithatë, thirrja e jetës së saj gjeti një jehonë në ethosin mijëravjeçar të Indisë, se hyjnorja është në çdo qenie njerëzore dhe se t’u shërbesh të varfërve dhe të pastrehëve do të thotë të adhurosh Zotin”, tha Ravindra Prasad Jaiswal, ambasadori i Indisë në Shqipëri..
Përveçse laureate e Nobelit për Paqe dhe humaniste globale, ekspozita e paraqet Nënë Terezën si një urë lidhëse midis dy kombeve dhe kulturave, që 70 vite më parë vendosën marrëdhëniet diplomatike.
“Kontributi i saj i jashtëzakonshëm për Indinë ka krijuar një lidhje midis dy vendeve tona që shkon shumë përtej miqësisë, një lidhje e afërsisë së qëndrueshme”,deklaroi ai.
“Sot, gjithnjë e më shumë identitetet përcaktohen përmes dallimeve, sesa përmes asaj që kanë të përbashkët. Nënë Tereza na mëson të kundërtën. Ajo nuk e dallonte njeriun nga pasaporta, kombësia apo feja, por nga nevojat dhe dinjiteti”, u shpreh Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Duke vëzhguar fotot që pasqyrojnë misionet e bamirësisë dhe përfundojnë me ceremoninë mortore në Kalkutë, diplomatët e vlerësuan Nënë Terezës shprehjen më të fuqishme të lidhjes mes dy vendeve, rrënjët e saj ishin shqiptare dhe misioni i jetës u përmbush në Indi, ndërsa mesazhi i saj u bë universal!
Top Channel