Me sukses! Barcelona e Juventus mbyllin operacionin për Arthur-Pjanic

30/06/2020 12:45

Barcelona dhe Juventus mbyllin me sukses operacionin e shkëmbimit të mesfushorëve respektivë Arthur Melo dhe Miralem Pjanic.

Braziliani pranoi kalimin te bardhezinjtë për vlerën e 72 milionë Eurove shifër së cilës i shtohen edhe 10 milionë Euro të tjerë në formën e bonuseve me klubet që konfirmuan gjithçka nëpërmjet komunikatave zyrtare.

Përsa i përket Miralem Pjanic, transferimi i tij u bë për vlerën e 60 milionë Eurove së cilës pritet t’i shtohen edhe 5 milionë Euro të tjerë si bonuse me Zonjën e Vjetër që do të paguajë cash në arkat e Barcelonës diferencën e vlerave të këtyre dy futbollistëve. Ishte ky një operacion të cilin klubet arritën ta mbyllin përpara kësaj të marte dhe nga i cili si Barcelona ashtu edhe Juventus dolën me përfitime gjë që përmirëson bilancin financiar.

Përpara dy ditësh, Arthur dhe Pjanic kryen në Torino vizitat mjekësore me skuadrat e tyre të reja me brazilianin që nënshkroi me Zonjën e vjetër një kontratë 5-vjeçare me pagë 5 milionë Euro neto në sezon të shoqëruar edhe me bonuse. Ndërsa në krahun tjetër, Pjanic do të nënshkruajë me katalanasit një kontratë 4-vjeçare deri në 2024 që do të shoqërohet me klauzolën prej 400 milionë Eurosh.

Gjithsesi si Arthur Melo ashtu edhe Miralem Pjanic do të qëndrojnë te skuadrat e tyre aktuale deri në përfundimin e plotë të sezonit që do të thotë se ndeshjet e Ligës së Kampioneve do t’i luajnë me fanellat e Barcelonës dhe Juventusit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA