Paris Saint-Germain ka marrë një goditje të papritur jashtë fushës së blertë.

Gjykata Administrative e Parisit ka lënë në fuqi këtë të martë gjobën e majme prej 2.7 milionë eurosh ndaj kampionëve të Francës, me akuzën e pabarazisë gjinore në paga.

Sipas Inspektoratit të Punës, PSG ka dështuar për tre vite radhazi të përmbushë standardet e indeksit francez të barazisë profesionale mes burrave dhe grave. “Thembra e Akilit” që ka penalizuar klubin lidhet drejtpërdrejt me 10 pagat më të larta në ekip, një kategori e dominuar totalisht nga futbollistët meshkuj, duke krijuar një hendek të thellë dhe të pajustifikueshëm sipas ligjit francez.

Ky vendim i gjykatës konfirmon përfundimisht sanksionin fillestar të vendosur në mars të vitit 2024, duke e detyruar klubin parisien të paguajë faturën e kripur për mosrespektimin e rregullave të barazisë.

Top Channel