Transferimi i Lorenc Trashit nga Partizani ku kaloi 6 vite drejtë klubit Al  Qadsia ka qenë padyshim lajmi i ditës sa i përket sportit në vendin tonë. Vetë futbollisti foli ekskluzivisht për Top Channel ku ndau emocionet për këtë ndryshim në karrierën e tij por mbi të gjitha kujtimet dhe gjithçka i mbetet nga Partizani.

Sidorela Gjoni: Lorenc pas 6 vitesh tek Partizani më në fund erdhi dhe transferimi. Si ndodhi gjithçka dhe si ndihesh tani?

Trashi: Normalisht kur vijnë shumë oferta dhe nuk finalizohen mërzitesh pak dhe nuk mendoja me për transferim por që të mbyllja karrierën tek Partizani. Pastaj me telefonoi menaxheri im Franci Bode dhe me tregoi se çdo gjë është kryer, bisedova me presidentin direkt ai si bujar që është me dha direkt OK por ishte shumë i gëzuar, ju bë qejfi për mua sepse kam 6 vite këtu çdo hall e kam ndarë me të, e kam si prind.

Sidorela Gjoni: Në momentin që u vendos transferimi cili është personi i parë që telefonove, si reagoi familja?

Lorenc Trashi: Personi i parë normalisht është e fejuara ime sepse ne bashkjetojmë dhe gjithmonë kam diskutuar me të që ta mbanim disi të fshehtë sepse doja t’na ecte mbarë. Pastaj familja, dy prindërit dhe motrat.

Ka qenë ora 11 e natës dhe ata ishin në gjumë nuk më besuan në fillim pastaj qanin në telefon.

Sidorela Gjoni: Po shkon në një vend me kulturë islame ku do të të duhet pak me tepër kohë për t’u përshtatur, a je ti një person qe nuk i ka problem këto lloj ndryshimesh?

Trashi: Unë jam tip që përshtatem shpejt mendoj me çdo lloj situate por normalisht do jetë si çdo person që shkon në një vend të huaj do jetë e vështirë në fillim po kam besim që do ambjetohem shpejt dhe gjërat do shkojnë ashtu si unë i parashikoj.

Sidorela Gjoni: Cila është ndeshja qe nuk do ta harrosh asnjëherë me Partizanin?

Lorenc Trashi: Ndeshja qe me ka ngel ne mendje është ajo me Tiranën vjet ku ne dolëm matematikisht kampion, ajo është ndeshje që nuk harrohet.

Top Channel