Giorgia Meloni e dënoi me forcë sekuestrimin e anijeve të flotiljes globale Sumud të nisur me ndihma drejt Gazës, e cila u bllokua pranë Kretës nga forcat detare izraelite.

Kryeministrja e Italisë i kërkoi qeverisë së “Izraelit lirimin e menjëhershëm të të gjithë italianëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme, respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe garanci për sigurinë fizike të personave që ndodhen në bord”, siç theksohet në deklaratë.

Më herët, marina izraelite sekuestroi disa anije, ndërhyrje kjo, të cilën zëdhënësi i flotiljes, Gur Tsabar, e përshkroi si një sulm ndaj civilëve në ujërat ndërkombëtare dhe rrëmbim të anijeve të paarmatosura.

Izraeli publikoi pamje që dëshmonin sipas tij, praninë e narkotikëve në bord, dhe njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj fushatës së mbledhjes së fondeve për flotiljen, që shteti hebre e lidh me Hamasin.

Turqia reagoi gjithashtu duke e cilësuar ndërhyrjen si akt piraterie, dhe duke akuzuar Izraelin për shkelje të parimeve humanitare dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Aktivistët e flotiljes këmbëngulin se sulmi përfaqëson një kurth ndaj pjesëmarrësve dhe se objektivi i vërtetë i tij është shënjestrimi i popullsisë së Gazës, e cila vazhdon të përballet me një fushatë urie dhe dhune.

Sipas të dhënave të fundit, 22 anije të flotës humanitare janë zhdukur nga sistemet e gjurmimit dhe besohet se ndodhen në ujrat pranë Kretës.

Top Channel