Trump shqyrton mundësinë e përdorimit për herë të parë të raketave hipersonike ‘Dark Eagle’, mund të godasin objektivat deri në 2 milje larg
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi akuzoi Shtetet e Bashkuara se po manipulojnë të dhënat mbi koston reale të luftës, duke pretenduar se konflikti ka një barrë shumë më të madhe financiare për amerikanët sesa pranohet zyrtarisht.
Sipas tij, “lufta e Benjamin Netanyahu i ka kushtuar drejtpërdrejt SHBA-së rreth 100 miliardë dollarë deri më tani, katër herë më shumë sesa pretendohet”. Në një reagim në platformën X, Araghchi shtoi se kostoja indirekte për taksapaguesit amerikanë është edhe më e lartë, duke pretenduar se çdo familje amerikane përballon rreth 500 dollarë në muaj si pasojë e konfliktit.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez Jean-Nowl Barrot deklaroi se plani i SHBA-së për krijimin e një koalicioni që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nuk bie ndesh me iniciativën franko-britanike, por e plotëson atë.
Duke folur nga Abu Dhabi, Barrot theksoi se iniciativa e përbashkët e Francës dhe Britanisë është në një fazë të avancuar dhe synon krijimin e një misioni “neutral” për garantimin e sigurisë së anijeve tregtare në rajon.
Ngushtica e Hormuzit, një ‘arterie’ jetike për tregtinë globale të energjisë, mbetet e mbyllur pavarësisht armëpushimit në fuqi që nga 8 prilli, duke shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare. Para përshkallëzimit të konfliktit, rreth një e pesta e naftës botërore kalonte përmes kësaj rruge ujore strategjike.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se qëllimi i misionit është të shoqërojë dhe mbrojë anijet tregtare, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer e ka përshkruar atë si një forcë “paqësore dhe mbrojtëse”.
Nga ana tjetër, administrata amerikane po shton përpjekjet për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për garantimin e lirisë së lundrimit në rajon. Sipas zyrtarëve të Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ambasadat amerikane janë angazhuar për të bindur vendet aleate që t’i bashkohen kësaj nisme.
Ky mekanizëm, i njohur si “Mekanizmi i Lirisë së Lundrimit”, pritet të ofrojë koordinim, informacion në kohë reale dhe këshilla sigurie për anijet që kalojnë në zonë.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e zgjatjes së bllokadës ndaj porteve iraniane për një periudhë të gjatë, ndërsa negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit mbeten në ngërç.
Top Channel