“Prokuroria zbuloi skemën, SPAK e kishte prej 6 muajsh në dorë”, gazetarja zbardh dosjen e Sara Milës në Top Story
Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, komentoi dosjen që lidhet me deputeten e Partisë Socialiste, Sara Mila, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e çështjes dhe zhvillimet e mundshme të hetimit.
Beci u shpreh se mund të ketë edhe kallëzime të tjera nga qytetarë që mund të jenë ndier të përfshirë në skema të blerjes së votës gjatë fushatës zgjedhore. Ish-prokurori ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi faktin se përse një person që mund të jetë nën dyshime ka zgjedhur të paraqitet vetëm në Prokurorinë e Posaçme.
“Kjo është një ngjarje e parë. Këto që përfundojnë me masa sigurie, kështu fillojnë. Fillimisht dalin me deklarata pasi dalin nga SPAK, dhe më pas përfundojnë në gjyq. Sot mund të shkosh të bësh deklarime, por nëse i bën në gjendje të lirë, pas dy javësh je i detyruar të marrësh avokatin”, u shpreh Beci.
Ai theksoi se dyshimet janë ngritur edhe nga publiku dhe opozita, duke u ndalur te numri i votave të marra nga një person jo shumë i njohur në politikë.
“Si mundet një person anonim të marrë aq shumë vota? Është dyshimi i parë që krijohet. Po të ishte për dikë tjetër të njohur, nuk do të dyshonim. Është një person i panjohur politik dhe prandaj krijohet dyshimi se është futur një element tjetër i paligjshëm”, tha ai.
Në lidhje me mundësinë e vendosjes së masave të sigurisë nga Prokuroria e Posaçme, Beci u shpreh skeptik, duke iu referuar edhe historikut të institucionit dhe dënimit të parashikuar për veprën penale.
“Duke pasur në konsideratë edhe historikun e Prokurorisë së Posaçme, a do të kemi masa sigurie? Besoj se jo, sepse dënimi është deri në 5 vjet”, përfundoi ish-prokurori.
Top Channel