Humb jetën në moshën 37-vjeçare influencerja e njohur, mesazhi i fundit që publikoi tri ditë para vdekjes

11/11/2026 13:22

Influencerja amerikane Emily Hanson-Miller, e njohur në rrjetet sociale me emrin “ThriftyFatty”, ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare në Columbus, Ohio. Lajmi për vdekjen e saj është konfirmuar nga një përfaqësues i Zyrës së Mjekësisë Ligjore të Qarkut Franklin për revistën “People”.

Hanson-Miller ndërroi jetë më 5 nëntor, ndërsa lajmi u bë publik fillimisht përmes postimeve të miqve të saj në rrjetet sociale. Ajo kishte arritur të grumbullonte më shumë se 100 mijë ndjekës në TikTok dhe Instagram, ku ndante momente nga përditshmëria, udhëtimet dhe pasioni për modën.

Ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen është postimi i saj i fundit publik, i publikuar më 2 nëntor, vetëm tri ditë para vdekjes. Në mesazhin e saj, 37-vjeçarja kishte folur hapur për dhimbjen dhe vështirësitë emocionale që po përjetonte pas humbjes së disa personave të dashur.

“Javën e kaluar mendoj se gjithçka më pushtoi. Ndërsa përpiqesha ta injoroja, dhimbja ime kishte ndikuar në çdo aspekt të jetës sime”, kishte shkruar ajo.

Influencerja kishte pranuar gjithashtu se kishte kuptuar që nuk po kujdesej për veten aq sa duhej. Ajo shpjegonte se vendosi ta ndante përvojën e saj me ndjekësit, në mënyrë që edhe personat që po kalonin një periudhë zie të mos ndiheshin vetëm.

Pas lajmit për vdekjen e saj, shumë miq dhe krijues të tjerë të përmbajtjes kanë publikuar mesazhe prekëse në rrjetet sociale. Jordan Nicole e përshkroi Emily-n si një mike të jashtëzakonshme, me të cilën ndante momente të panumërta të qeshurash. Ndërsa Madelyne Riley vlerësoi dashurinë, dhembshurinë dhe autenticitetin e saj, duke shkruar se ajo kishte frymëzuar shumë njerëz.

Një tjetër krijuese, Claudia, e njohur si “miles.and.smiles”, kujtoi miqësinë e tyre dhe tha se do ta nderonte kujtimin e saj përmes një kërcimi në kuzhinë, një aktivitet që lidhej me kujtimet që kishte për të. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes së 37-vjeçares dhe as rrethanat në të cilat ajo ndërroi jetë. Familjarët dhe miqtë kanë njoftuar se më 15 nëntor do të organizojnë një ceremoni përkujtimore në Columbus, Ohio.

Top Channel