E mbylli në një kuti brenda kafazit të qenve, ndodh mrekullia në SHBA/ Foshnja 11-muajshe gjendet gjallë, arrestohet babai
Kriza klimatike po kthehet në një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare në mbarë botën.
Paralajmërimi vjen nga sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, i cili thekson se pasojat e ngrohjes globale, nga mungesat ushqimore dhe tronditjet ekonomike deri te migracioni dhe konfliktet, po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, përpara fjalimit të tij në samitin e klimës COP31 në Antalia të Turqisë, Miliband deklaroi se çështjet e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes duhet të jenë tashmë në qendër të përpjekjeve globale për përballimin e ndryshimeve klimatike.
“Siguria kombëtare është kufiri i radhës i luftës për veprim klimatik; skenarët që dikur ishin fantastiko-shkencorë tani janë ngjarje të rregullta në lajmet e përditshme. Duhet të jemi të qartë se përkeqësimi i klimës është një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë kombëtare me të cilat përballemi. Siguria ushqimore, kërcënimet ndaj infrastrukturës dhe lëvizjet e popullsisë [po vijnë si pasojë e krizës klimatike]”, u shpreh Miliband.
Sipas tij, përkeqësimi i klimës përbën një kërcënim serioz për sigurinë ushqimore, infrastrukturën dhe lëvizjet e popullsisë. Ai paralajmëroi gjithashtu se vendet që refuzojnë të ndërmarrin masa për uljen e emetimeve të gazrave serrë po rrezikojnë sigurinë e tyre kombëtare.
Gjatë fjalimit të tij në COP31, Miliband pritet të theksojë se bota duhet të përballet me pasojat e dështimit për të reduktuar emetimet e karbonit gjatë tri dekadave të fundit, duke paralajmëruar se miliarda njerëz do të përballen me vështirësi dhe pasiguri.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është varësia nga lëndët djegëse fosile. Sipas Miliband, konfliktet ndërkombëtare dhe pasiguria gjeopolitike kanë treguar se varësia nga nafta dhe gazi mund të shkaktojë tronditje të mëdha ekonomike, rritje të çmimeve të energjisë dhe inflacion.
“Një epokë e re e pasigurisë globale do të thotë që tronditjet nga karburantet fosile tani janë normë”, deklaroi ai për “The Guardian”.
Miliband pritet të kërkojë shtimin e investimeve në energjinë e pastër, zgjerimin e përdorimit të saj në transport dhe ngrohje, reduktimin e emetimeve të metanit, si dhe mbrojtjen dhe zgjerimin e sipërfaqeve pyjore.
Në fjalën e tij pritet të trajtohet edhe tejkalimi i pragut prej 1.5 gradësh Celsius të ngrohjes globale krahasuar me nivelet paraindustriale, një objektiv kyç i Marrëveshjes së Parisit.
Sipas paralajmërimeve të tij, ky tejkalim kërkon masa më të forta për të kufizuar ngrohjen dhe për të rikthyer temperaturat në nivele më të sigurta në dekadat e ardhshme.
Megjithatë, politikat energjetike të qeverisë britanike janë përballur me kritika nga aktivistët e klimës, të cilët kundërshtojnë planet për lehtësimin e detyrimeve për prodhuesit e automjeteve elektrike dhe miratimin e projekteve të reja të naftës dhe gazit në Detin e Veriut.
COP31 po zhvillohet në Antalia të Turqisë, ku udhëheqës botërorë dhe përfaqësues të qeverive diskutojnë për sfidat klimatike dhe masat që duhen ndërmarrë për të përballuar pasojat e ngrohjes globale.
Top Channel