Zelensky shpreson për marrëveshje paqeje me Rusinë deri në fund të vitit: Gjithçka varet nga qëndrimi i SHBA-së ndaj Moskës
Franca i ka kërkuar Gjermanisë të përcaktojë qartë mënyrën se si do të përdorë raketat e reja me rreze të gjatë veprimi, për shkak të rrezikut që sulmet ndaj objektivave ruse të shkaktojnë një përshkallëzim të konfliktit deri në një përballje bërthamore.
Sipas një raportimi të Financial Times, zyrtarë francezë dhe gjermanë pritet të zhvillojnë bisedime për koordinimin e përdorimit të këtyre armëve, mes shqetësimeve se mungesa e një doktrine të përbashkët mund të çojë në keqinterpretime nga Moska dhe në një reagim të rrezikshëm nga ana e Rusisë.
Gjermania, së bashku me Britaninë e Madhe, Poloninë dhe vende të tjera europiane, ka ndërmarrë hapa për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, me synimin për të penguar çdo sulm të mundshëm rus ndaj Europës.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Berlini raportohet se po blen dhe zhvillon raketa tokësore me rreze veprimi nga 500 deri në më shumë se 2 mijë kilometra.
Shqetësimi i palës franceze lidhet kryesisht me paqartësitë rreth konceptit të sulmeve precize në thellësi të territorit kundërshtar. Sipas zyrtarëve francezë, një sulm me armë konvencionale ndaj një objektivi rus mund të interpretohet nga Moska si një kërcënim shumë më i madh, nëse nuk përcillet qartë mesazhi për natyrën dhe objektivin e tij.
“Nëse rusët nuk e kuptojnë siç duhet sinjalin, mund të kalohet pragu bërthamor pa e kuptuar”, është shprehur një zyrtar francez për Financial Times.
Franca kërkon një doktrinë të përbashkët mbrojtjeje
Shqetësimi i Parisit lidhet edhe me politikën e presidentit Emmanuel Macron për të zgjeruar konceptin e parandalimit bërthamor francez në mbrojtje të aleatëve europianë.
Sipas kësaj qasjeje, Moska mund ta konsiderojë Francën përgjegjëse për sulmet e ndërmarra nga partnerët e saj, duke rritur kështu rrezikun që një përplasje konvencionale të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë.
“Kur fton dikë në shtëpinë tënde, je përgjegjës nëse ai i vë zjarrin”, është shprehur një zyrtar i njohur me diskutimet mes dy vendeve.
Gjashtë persona të njohur me bisedimet i kanë thënë Financial Times se zyrtarët francezë synojnë të arrijnë një marrëveshje për harmonizimin e programeve të mbrojtjes së të dy vendeve, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe përshkallëzimet e mundshme.
Një nga arsyet pse vëmendja është përqendruar te Gjermania është edhe buxheti i saj i madh për mbrojtjen, i cili parashikohet të arrijë në 780 miliardë euro gjatë periudhës pesëvjeçare deri në vitin 2030.
“Do të ishte shumë më mirë të kishim një doktrinë të qartë dhe publike, në mënyrë që rusët të mos e keqinterpretojnë asnjë sinjal”, ka deklaruar një burim i cituar nga gazeta britanike.
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë gjerman ka mbështetur nevojën për një qasje të përbashkët europiane, duke theksuar se kryeqytetet europiane duhet të kenë një doktrinë dhe një kuptim të përbashkët mbi shkallët e përshkallëzimit të një konflikti.
Ndërkohë, një zyrtar britanik ka vlerësuar se shqetësimet mund të jenë disi të ekzagjeruara në këtë fazë, pasi kultura strategjike e Gjermanisë po ndryshon me shpejtësi. Sipas tij, aleatët duhet ta mbështesin këtë zhvillim dhe jo të mbështeten te perceptimet e vjetra për politikën gjermane të mbrojtjes.
Diskutimet vijnë pas raportimeve të mëparshme se Gjermania po negocion me Britaninë e Madhe për të financuar programin bërthamor Trident, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar parandalimin bërthamor europian në rast të një konflikti të mundshëm me Rusinë.
Thelbi i shqetësimit të Francës është se përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Gjermania duhet të shoqërohet me rregulla dhe koordinim të qartë, në mënyrë që një sulm konvencional të mos keqinterpretohet nga Moska dhe të shkaktojë një përshkallëzim bërthamor.
Top Channel