Kompanitë e mëdha dhe laboratorët kërkimorë në mbarë botën janë vënë në garë për gjetjen e vaksinave dhe kurave për koronavirusin e ri, duke përdorur teknologji nga më të ndryshmet.
Virologu Benjamin Neuman, nga Texas A&M University-Texarkana, paralajmëron megjithatë se imunizimi ndaj një patogjeni është një përpjekje afatgjatë: nuk ka pasur kurrë sipas tij një vaksine të suksesshme e cila të funksionojë kundër çdo pjesëtari të familjes se koronavirusëve.
“Do të ketë shumë testime, shumë gabime, por kemi plot variante për të provuar”, paralajmëron ai. Trajtimi megjithatë mund të mos vonojë shumë; antivirali remdesivir ka dhënë shenja mjaft premtuese dhe ka nisur tashmë të përdoret në raste të caktuara kundër koronavirusit edhe pa një aprovim të rregullt. Drejtues të kompanive të mëdha farmaceutike thonë se duhet të punojnë së bashku, nëse duan të jenë në gjendje të prodhojnë “ një sasi të paprecedent vaksinash”, kur ato të jenë të disponueshme.
“Sasia e vaksinave që nevojiten në këtë situatë, është e jashtëzakonshme, në industrinë tonë kjo nuk nuk ka ndodhur asnjëherë. Ndaj do të na duhet të punojmë së bashku për tu siguruar që do të arrijmë kapacitetet e duhura, në mënyrë që të vaksinohen të gjithë për tu mbrojtur nga sëmundja”, shprehet Paul Stoffels.
“Është koha për t`u bërë bashkë e gjithë industria farmaceutike, në mënyrë që të arrijmë t`i përgjigjemi siç duhet kësaj situate”, thotë David A. Ricks.
Top Channel