Testimi i parë tek njerëzit i një vaksine kundër koronavirusit po fillon në SHBA.
Një grup prej 45 vullnetarësh të shëndetshëm do të bëjnë injeksionin në institutin kërkimor Kaiser Permanente, në Seattle. Vaksina nuk mund të shkaktojë Covid-19 por përmban një kod gjenetik të padëmshëm, i cili të kopjuar nga virusi përgjegjës për sëmundjen.
Ekspertët thonë se do të duhet akoma shumë muaj për të ditur nëse kjo vaksinë, apo dhe të tjerat për të cilat po punohet gjithashtu intensivisht, do të funksionojë. Shkencëtarët në të gjithë botën janë angazhuar për këtë qëllim. Kjo provë e parë njerëzore, e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, anashkalon një kontroll që normalisht duhet të bëhej – e që siguron se vaksina mund të shkaktojë një përgjigje imune te kafshët.
Por kompania e bioteknologjisë e cila është dhe krijuesja e vaksinës, Moderna Therapeutics, thotë se vaksina është krijuar mbi bazën e një procesi të njohur e të testuar, që përdor teknologjinë para-ekzistuese.
“Kjo është një garë kundër virusit, dhe jo kundër njëri tjetrit; të gjithë po mundohemi për të mirën e njerëzimit”, thanë shkencëtarët amerikanë. Vaksinat tipike për viruset, siç është fruthi, bëhen nga një virus i dobësuar, por mRNA-1273 nuk është bazuar te virusi që shkakton Covid-19. Në vend të kësaj, ajo përfshin një segment të shkurtër të kodit gjenetik të kopjuar nga koronavirusi që ekspertët kanë arritur ta sigurojnë në laborator. Shpresohet që në këtë mënyrë, do të ndihmohet sistemi imunitar i trupit që të luftojë infeksionin e vërtete.
Top Channel