Të hënën, Kosova mbush 12 vjet shtet i pavarur. Ashtu si çdo vit, institucionet shtetërore kanë organizuar një seri aktivitetesh. Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka publikuar axhendën e aktiviteteve në atë që do të jetë përvjetori i parë i pavarësisë së Kosovës me Albin Kurtin në krye të ekzekutivit.
Fillimisht, do të ngrihet flamuri në oborrin e kryeministrisë, në praninë e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti, të sapokthyer nga gjermania, ku morën pjesë në samitin për sigurinë, por që dukshëm qëndruan larg njëri tjetrit.
Ceremonia do të mbahet nën nderimin e gardës ceremoniale dhe nën tingujt e himnit të Kosovës. Si në çdo përvjetor tjetër, nuk mund të mungojë as nderimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë, me vendosjen e kurorave tek kompleksi memorial Adem Jashari. Kurora do të vendosen edhe tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit Adem Demaçi.
Ndërsa në orën 11, kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë solemne. Më pas, kryeministri dhe kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani, do të vizitojnë forcën e sigurisë së Kosovës dhe në mbrëmje do të ketë edhe një pritje shtetërore, nën kujdesin e presidentit Hashim Thaçi, ku të ftuar do të jenë drejtuesit e lartë shtetërorë, personalitete vendore dhe ndërkombëtare.
Top Channel