Sulmet e SHBA ndaj Iranit hyjnë në natën e tetë, Teherani paralajmëron: Do të marrin një mësim të paharrueshëm

19/07/2026 08:25

Ushtria amerikane vazhdon për të tetën natë radhazi sulmet kundër Iranit, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme.

Sipas deklaratës, sulmet goditën objekte të mbikëqyrjes bregdetare dhe të mbrojtjes ajrore të ushtrisë iraniane, si dhe forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin nisur sulme ndaj forcave amerikane në Jordani më 17 korrik.

Më herët, Shtetet e Bashkuara njoftuan nisjen e një serie të re bombardimesh kundër Iranit, me qëllim “ndëshkimin” e Gardës Revolucionare pas vdekjes së dy ushtarëve amerikanë në Jordani. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet u kryen me urdhrin e tij.

Sipas CENTCOM, operacionet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe të godasin Gardën Revolucionare, të cilën Uashingtoni e konsideron përgjegjëse për sulmet ndaj personelit amerikan.

Mediat iraniane raportuan se bombardimet amerikane goditën qytetin portual Shirik, në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa agjencia shtetërore IRNA bëri të ditur se u godit edhe një zonë pranë Hajjabadit, në provincën Hormuzgan.

Të shtunën, CENTCOM konfirmoi vdekjen e dy ushtarëve amerikanë dhe zhdukjen e një të treti pas një sulmi iranian me raketa dhe dronë në Jordani. Sipas autoriteteve amerikane, numri i ushtarëve të vrarë që nga rifillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka arritur në 16.

Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, paralajmëroi se “kombi iranian dhe fronti i rezistencës kanë mësime të paharrueshme për t’i dhënë armikut amerikan”. Ai akuzoi SHBA-në për shkelje të përsëritura të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më 17 qershor, duke deklaruar se “firma e presidentit amerikan nuk ka vlerë”.

Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, që nga 27 qershori, bombardimet amerikane kanë shkaktuar të paktën 50 viktima dhe mbi 500 të plagosur.

Teherani njoftoi gjithashtu se kishte goditur një bazë ajrore të përdorur nga SHBA-të në Jordani, si dhe instalime ushtarake dhe infrastrukturë civile në Kuvajt. Sipas ushtrisë iraniane, sulmet përfshinë bazën Camp Udairi, si dhe sistemet e radarëve Patriot dhe bazën ajrore Ali Al-Salem.

Autoritetet kuvajtiane deklaruan se sulmet iraniane shkaktuan dëme serioze në një objekt jetik të naftës dhe nxorën jashtë funksionit një impiant shkripëzimi të ujit dhe prodhimi të energjisë elektrike. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit i dënoi këto sulme, duke i cilësuar “krime lufte”.

Në Iran, autoritetet në provincën Hormuzgan raportuan se bombardimet amerikane shkatërruan plotësisht një stacion pompimi të ujit të detit dhe një transformator elektrik në një impiant shkripëzimi.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta edhe në Ngushticën e Hormuzit. Garda Revolucionare deklaroi se sulmet do të vazhdojnë derisa “qetësia të rikthehet” në bregdetin jugor të Iranit dhe në Ngushticën e Hormuzit.

Pas rifillimit të luftimeve, lëvizja e anijeve tregtare në ngushticë është kufizuar ndjeshëm, ndërsa SHBA ka rivendosur bllokadën ndaj porteve iraniane, vetëm pak ditë pasi ajo ishte hequr në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit mes palëve.

Top Channel