Mbahet Dialogu Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, nënshkruhen dy memorandume Në fillim të muajit gusht do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nën mandatin e së cilës bie kjo përgjegjësi, ka njoftuar se javën e ardhshme do të caktojë datën e saktë.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht. Në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë dhe orën e saktë”, tha presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Haxhiu thotë se po u jep kohë partive politike të mund të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e tjera të jashtëzakonshme që i kanosen vendit në rast të dështimit.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë dhe rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion, në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje”, tha presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes u ka bërë thirrje partive politike t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, sepse, siç tha ajo, “vetëm me diskutime arrihet një zgjidhje”. Rezultatet e zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, e 30 ditë kanë kohë deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Top Channel