Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ritheksoi se tarifa doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ky ndryshim do të ndodhë shumë shpejtë në bashkëpunim me Doganat e Kosovës. “Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”. Kjo deklaratë e Kurtit vjen pas përkrahjes nga ana e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, për heqje të taksës. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Kadri Veseli, ditë më parë kishte bërë thirrje që kryeministri Kurti të mos e largojë taksën ndaj Serbisë, e cila ishte vendosur nën qeverisjen e Haradinajt në koalicion me PDK-në.

Thirrje të njëjtë drejtuar Kurtit, ka pasur edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Të premten, Grenell përmes një postimi në Twitter, i ka thënë kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të drejtë në këtë drejtim. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se reciprociteti, “të cilin ne e duam, është reciprocitet, që shprehet në aspektin ekonomik e tregtar dhe politik, ashtu siç është shkruar në rezolutën e 7 dhjetorit të vitit 2011 në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Heqjen e taksës vazhdimisht e kishin kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA