Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë përmes së cilës i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit.
Në favor të saj ishin 224 ligjvënës, ndërsa 194 votuan kundër. Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kishte kritikuar ashpër administratën e presidentit Trump për sulmin ajror që i mori jetën gjeneralit të fuqishëm Iranian, i cili u ndërmor pa u këshilluar më parë me Kongresin. Pelosi e quajti goditjen një veprim “provokues dhe joproporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.
“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, dhe efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme. Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, u shpreh Pelosi.
Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit, përrsa kohë Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën “të gabuar” dhe “qesharake”.
Dokumenti nuk është detyrues, e vështirë se do të sigurojë vota të mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Top Channel