Selektori i Kosovës, Taip Ramadani ka shpallur të mërkurën listën me emrat e lojtarëve në të cilët llogarit për garën kualifikuese që muajin tjetër mbahet në Itali.
Kosova do të garojë në fazën e parë kualifikuese evropiane për kampionatin botëror të vitit 2021.
Kombëtarja jonë është në grupin e tretë së bashku me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë.
Më 10 janar Kosova luan me Italinë, më 11 janar me Rumaninë kurse më 12 janar me Gjeorgjinë.
Fituesi i grupit avancon në raundin tjetër, kurse ndeshjet luhen në Benevento të Italisë.
Ramadani ka ftuar 19 lojtarë, ndërsa tre janë debutues në Kombëtaren A. Bëhet fjalë për Albin Xhafollin që kishte luajtur me Kombëtaren U21 në Botërorin në Spanjë, portierin Liridon Zena dhe të riun Leonard Gegaj.
Liridon Zena është te skuadra kroate, Mornar Crikvenica, Xhafolli po luan në Zvicër te skuadra Fortitudo Gossau, kurse Gegaj po zhvillohet te Savehofi i famshëm në Suedi. Në listë janë pesë lojtarë të kampionit të Kosovës, Besa Famgas dhe katër të Prishtinës.
Përgatitjet nisin më 27 dhjetor në Prishtinë, ndërsa para udhëtimit në Itali do të luhen dy ndeshje kontrolluese me Kuvajtin.
Kombëtarja jonë këtë vit ka shënuar fitore ndaj Izaelit kurse ka barazuar me Poloninë. Synimi është që me paraqitje të mira të vazhdohet edhe në Itali.
Top Channel