E ngarkuara e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic është shprehur e tronditur pas vizitës në ishujt grekë. Nuk kemi të bëjmë më me pranim azilkërkuesish, kjo është luftë për mbijetesë, tha ajo.
“Kjo është një situatë para shpërthimit”, bëri të ditur Dunja Mijatovic pas vizitës në kampet e refugjatëve në ishujt Lesbos dhe Samos dhe qytetin e Korintit. Mungon kujdesi mjekësor dhe pajisjet sanitare. Në Samos familjet në nevojë ngrenë vetë me drunj strehëza sa të mund të fusin kokën. Për ushqimin dhe banjot duhet pritur me orë. “Kjo nuk ka të bëjë më me pranim azilkërkuesish, kjo është kthyer në luftë për mbijetesë”, u shpreh Mijatovic para mediave.
Mijatovic megjithatë lëvdoi mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, por theksoi, se ky problem nuk zgjidhet vetëm përmes mjeteve financiare. Ajo kërkoi që të marrin përgjegjësi të gjitha vendet e BE-së.
Dhjetëra mijëra vetë presin në ishujt e Egjeut
BE dhe Greqia duhet të mendojnë, për atë, se si të mbështeten më mirë komunat në terren, theksoi Mijatovic. Janë ato që pranojnë prej vitesh një numër “të konsiderueshëm” të refugjatëve. Edhe zemërimi i banorëve për “situatën e padurueshme akualisht” nuk mund të mohohet.
Ka disa muaj që në Greqi është rritur numri i refugjatëve që vijnë përmes Egjeut. Në ishujt Lesbos, Kios, Samos, Leros dhe Kos presin aktualisht më shumë se 35.000 refugjatë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit në kampin e regjistrimit në Samos qëndrojnë gati 10 herë më shumë migrantë, se sa mund të mbajë kampi. Në kampin Moria qëndrojnë 14.000 refugjatë, 5 herë më shumë se kapacitetet e kampit.
Pakti i BE-së me Greqinë parashikon, që BE të gjithë refugjatët që vijnë ilegalisht përmes Turqisë në ishujt grekë të kthehen. Por trajtimi i kërkesave të azilit ecën shumë ngadalë në Greqi për shkak të mungesës së personelit.
Ndërkohë parlamenti grek debaton të enjten për miratimin e një ligji për azilin që do të sjellë disa ashpërsime. Drafti parashikon procedura të përshpejtuara dhe zhvendosjen e azilkërkuesve në kuadër të paktit të refugjatëve në Turqi. Në bazë të ligjit të ri deri në fund të vitit do të zhvendosen 20.000 azilkërkues nga ishujt grekë brenda tokës greke./DW
Top Channel