“Kushtetuesja s’mund të bëjë lojën”/ Miratohet formula për pagat e magjistratëve, Rama në Kuvend: Është nevoja për të hartuar një ligj të ri

18/09/2026 07:19

Me 84 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve, duke i dhënë fund afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për përcaktimin e pagës referuese.

Projektligji parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ndërsa magjistratët, KLGJ dhe KLP kanë kërkuar një rritje rreth nëntë herë më të lartë, afro 80 mijë lekë.

Votimi nuk i dha fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Opozita e kundërshtoi formulën e mazhorancës, duke e cilësuar atë “puç kushtetues”, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka nisur punën për një ligj të ri që synon ribalancimin e piramidës së pagave.

Gjatë debatit në Kuvend, Rama tha se rritja e pagave të magjistratëve pas reformës në drejtësi ka krijuar një raport të pabalancuar me pagat e tjera në administratën publike. Ai kundërshtoi gjithashtu kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë.

“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej.

Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente.

Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave.

Nuk ndodh. Është nonsens.

Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin.

E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku.

Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri.

Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde.

Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’.

Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese.

Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë”, u shpreh Rama mes të tjerash.

Top Channel