Pylli i Sodës vijon të jetë një kosh gjigant mbeturinash. Edhe pse sezoni turistik ka mbaruar dhe pushues nuk ka më, në plazhe dhe në lokale gjurmët e një katastrofe mjedisore nuk janë lënë pas sidomos në Pyllin e Sodës.

E gjithë sipërfaqe e këtij pylli dhe kryesisht në zonën e plazhit të Zvërnecit është e mbushur me mbeturina urbane. Edhe pse është bërë çdo vit sensibilizim nga drejtuesit më të lartë të mjedisit, për të mbajtur pastër këtë pasuri që ka Vlora, banorët nuk janë ndërgjegjësuar.

Institucionet përgjegjëse që kanë në juridiksion këtë zonë të pyllit të Sodës, ja kalojnë topin njëra tjetrës dhe askush nuk e merr përgjegjësinë për pastrimin, ose duke zbatuar ligjin me gjobitjen e ndotësve.

Agjencia Rajonale e Zonave të mbrojtura jashtë kamerave shprehet se është një shqetësim shumë i madh një ndotje e këtyre përmasave. Ndërsa inspektoriati i mbrojtjes së pyjeve shprehet se që prej datës 3 Shtator, ky institucion nuk ka asnjë kompetencë për kontroll.

Ndaj deri në zgjidhjen ligjore për përgjegjësinë pylli i sodës do vijojë të jetë një vendgrumbullim mbetjesh.

Top Channel