Votoi në katër zgjedhje amerikane pa pasur të drejtë vote, ICE arreston italianin 72-vjeçar në New Jersey

03/11/2026 20:44

Një shtetas italian 72-vjeçar është arrestuar në New Jersey nga agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave në SHBA (ICE), nën dyshimin për mashtrim zgjedhor dhe votim të paligjshëm në zgjedhjet federale amerikane.

Sipas njoftimit të publikuar nga ICE në rrjetin social X, bëhet fjalë për Andrea Morzettën, i cili dyshohet se ka votuar në katër zgjedhje federale, pavarësisht se nuk kishte të drejtë vote si shtetas i huaj.

Në reagimin e saj, agjencia amerikane theksoi se votimi i paligjshëm, kur kryhet me vetëdije nga persona që nuk kanë të drejtë vote, nuk mund të konsiderohet një shkelje e thjeshtë administrative. ICE shtoi se administrata Trump synon të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe të garantojë që procesi zgjedhor të jetë i drejtë.

Arrestimi u krye në New Jersey, një prej shteteve që zbaton politika të ashtuquajtura “strehë”, të cilat kufizojnë bashkëpunimin e autoriteteve vendore me qeverinë federale në çështjet e zbatimit të ligjeve të emigracionit.

Rasti i Morzettës nuk është i vetmi i raportuar së fundmi. Një shtetas finlandez është arrestuar gjithashtu nga zyra e Filadelfias e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI), një strukturë hetimore e ICE-së. Ai dyshohet se është regjistruar për të votuar me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Top Channel