Tragjedia me 69 viktima në Spanjë, jep dorëheqjen ministri i Transportit pas përplasjes të trenave
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar që mobilizimi qytetar dhe angazhimi i të rinjve të shndërrohen në një forcë të qëndrueshme politike.
Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e PD-së me grupet e punës së qarkut Tiranë, Berisha diskutoi vijimin e aksionit opozitar, organizimin e protestave dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm. Ne nuk heqim dorë nga protesta, pasi protesta është pjesë e jona”, u shpreh kreu i demokratëve, duke kërkuar vijimin e mobilizimit dhe angazhimin e strukturave të partisë.
Berisha theksoi se protestat mbeten një prej instrumenteve kryesore të presionit politik dhe qytetar ndaj qeverisë, ndërsa objektivi i opozitës, sipas tij, është krijimi i kushteve për ndryshimin politik në vend.
Paralelisht me aksionin opozitar, kreu i PD-së kërkoi që strukturat e partisë të nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke vënë theksin te organizimi në terren dhe forcimi i pranisë së demokratëve në të gjithë vendin.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte bashkimi i forcave politike dhe shoqërore kundër qeverisë. Berisha u shpreh se opozita duhet të punojë për krijimin e një fronti të përbashkët.
“Shpresojmë të ngremë një front të përbashkët në interes të vendit”, deklaroi ai.
Takimi me grupet e punës së qarkut Tiranë zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të PD-së për forcimin e strukturave dhe koordinimin e aksionit opozitar, ndërsa protesta dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale pritet të vijojnë paralelisht.
Top Channel