Në moshën 75-vjeçare, Shero Sejdiu vazhdon të punojë me shtizë, duke krijuar papuçe, kapuça, fustane, bluza e deri te centro. Një mjeshtëri që sot e ushtron me pasion, por që në fëmijëri e nisi nga nevoja.
Ishte vetëm 6 vjeçe kur mësoi të punonte me shtizë. Në atë kohë, familja nuk kishte mundësi të blinte veshje dhe punimi me dorë ishte një domosdoshmëri për të siguruar rrobat e përditshme.
Si Sheroja, edhe shumë gra të brezit të saj iu drejtuan shtizës jo për pasion, por sepse kjo ishte një nga mënyrat e vetme për të përballuar nevojat e familjes. Me kalimin e viteve, ajo që nisi si një nevojë u kthye në një mjeshtëri që Shero Sejdiu e ruan edhe sot, pas gati shtatë dekadash.
Duart e saj vazhdojnë të krijojnë punime të ndryshme, ku çdo produkt mbart përvojën, durimin dhe kujtimet e një jete të tërë. Por kjo traditë po has vështirësi për t’u trashëguar te brezat e rinj.
Të rinjtë vendas tregojnë pak interes për punimet me shtizë, ndërsa më shumë vëmendje ndaj krijimeve të Sheros shfaqin shqiptarët e Kosovës, të cilët vlerësojnë punën artizanale.
Në një kohë kur veshjet prodhohen në seri dhe blihen lehtësisht në dyqane, historia e Shero Sejdiut sjell në vëmendje një realitet të një brezi të tërë grash, për të cilat punimi me shtizë ishte fillimisht nevojë, më pas mjeshtëri dhe një pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Top Channel