Furtuna dhe reshjet e shiut në stadiumin Elbasan Arena ishin në sinkron me paraqitjen e dobët të përfaqësueses shqiptare në futbollin e femrave që humbi thellë 0-3 ndaj Finlandës.
Kombëtarja kuqezi e nisi si mos më keq aventurën në kualifikueset e kampionatit Europian të 2021, pasi u dorëzua pa kushte ndaj nordikëve.
Kushtet atmosferike dhe breshëri bënë që sfida të shtyhej me 30 minuta dhe në nisjen e saj Finlandës iu deshën vetëm 9 minuta për të gjetur rrugën e rrjetës me Salstrom. Skuadra e trajnerit Vioresin Sinani ofroi rezistencë të dobët duke vuajtur dhe golin e dytë me Kolanen ndërsa pak para pushimit, Salstrom hipotekoi suksesin.
Në fraksionin e dytë finlandezet administruan avantazhin komod, duke mos rrezikuar thuajse asnjëherë. Nis kështu me një humbje aventura për Europianin. Në Grupin E të kualifikueseve janë gjithashtu Portugalia, Skocia dhe Qipro.
Top Channel