“Shkrepëtima” në DokuFest: 140 filma në garë, 11 të prodhuar nga shqiptarët

09/08/2019 14:27

Një vend të rëndësishëm në edicionin e 18-të të DokuFest po zënë edhe filmat e krijuar nga shqiptarët.

Në natën e tetë të festivalit u shfaq filmi i artistit Petrit Halilaj me emrin “Shkrepëtima”, që për banorët e fshatit Runik nga është edhe vetë prejardhja e tij, asocion me revistën kulturore të viteve 70-të.

Petriti përmes artit bashkëkohor solli aktivitetet kulturore të bashkëfshatarëve pas një periudhe 30-vjeçare.

“Për ta ribashkuar sërish komunitetin e Runikut në nivel kulturor, këtë nivel që e ka patur para lufte, në një farë mënyre për të lidhur të dy kohërat, para lufte dhe pas lufte.” u shpreh Petrit Halilaj, artist.

Motivi për krijimin e filmit lindi nga teksti i shkruar prej mësueses Salë, siç e njohin të gjithë në fshat.

“Atëherë, vitet ’70 kanë patur një aktivitet shumë të madh dhe shfaqjet që ne i kemi përzgjedhur; qëllimi ka qenë që ne të ndikojmë në kultivimin e vetëdijes, për shembull kundër hakmarrjes, për arsimimin e të gjithëve.” tha Sala Ahmeti Çitaku, botuese tekstesh në revistën “Shkepëtima”.

Filmi u mirëprit edhe nga shikuesit. Përveç “Shkrepëtimes”, nga rreth 140 filmave garues, 11 prej tyre janë të krijuar nga shqiptarët.

“Jemi po ashtu krenarë për garën kombëtare të festivalit që sivjet përfshin 11 filma shumë të mirë edhe prej Kosovës edhe prej Shqipërisë; po ashtu kemi patur filma të tjerë shqiptarë që janë shfaqur në programe të tjera speciale.” deklaroi Nita Deda, drejtoreshë e Festivalit DokuFest.

Top Channel