Dorëheqjet në “kasafortë”/ Mbi 130 drejtorë dorëzojnë detyrën, zbulohet çfarë ndodh më pas me ta

23/10/2026 15:07

Pa kaluar 24 orë nga kërkesa e kryeministrit Edi Rama drejtuar ministrave për t’i kërkuar dorëheqjen drejtorëve, jo zyrtarisht burime qeveritare, tregojnë se i janë përgjigjur kësaj kërkese mbi 130 drejtues të agjencive shtetërore në Tiranë edhe në rrethe.

Ministria e Punëve të Brendshme ka 14 agjenci varësie prej të cilave nuk pritet të të ketë dorëheqje për drejtorin e Gardës të Republikës, drejtorin e AMP-së dhe Identitek ,agjencisë së prodhimit të pasaportave.

Numri i madh i drejtorëve të dorëhequr 33 vjen nga Ministria e Turizmit Kulturës dhe Sporteve, pasuar nga ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës me 21 drejtorë.

Nga ministria e Bujqësisë janë 10 drejtorë të dorëhequr.

Lista e drejtorëve të dorëhequr nga Ministria e Mbrojtjes është 14, Drejtësia 12, Mjedisi 5, Ekonomia dhe Inovacioni, 14 përfshi 10 dorëheqje nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkohe nga institucionet në varësi të Kryeministrit dorëheqja duhet të jepet nga 24 drejtorë, ndërsa nga ministria e Financave 8 dorëheqje.

Mbeten jashtë kësaj vale dorëheqjesh Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.

Burime qeveritare i pohuan Top Channel, se drejtorët që preken do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë pasi faza e parë e këtij operacioni ka të bëjë vetëm me administrimin përmes një shkrese të dorëheqjes.

Në fazën e dytë do të vijohet me analizimin e perfomancës të çdo drejtori të dorëhequr.

Qeveria deri më tani nuk ka bërë asnjë koment për këtë valë të kërkuar dorëheqjesh. Por të njëjtat burime qeveritare pohuan, se kjo lidhet me avancimin e idesë të kryeministrit për meritokraci në administratë.

Kjo shihet si hapje rruge për Ministren e Administratës Publike, Adea Pirdeni, e cila u votua dje në parlament si ministre dhe betuar sot në Presidencë për ta çuar përpara këtë plan të kryeministrit.

Të tilla dorëheqje të këtyre përmasave në fakt, nuk janë një rast i izoluar i ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama. Ato janë kërkuar edhe në 2021 dhe në 2023.

Top Channel